Vllaznia ka fituar ndeshjen e parë të kampionatit, atë ndaj “Barleti Eagles” me rezultatin 80-64 në “Qazim Dervishi” dhe ky është një start i mbarë për kuqeblutë megjithatë trajnerii saj Nikolai Gospodinov nuk është krejt i kënaqur me lojën që ka zhvilluar ekipi i tij në këtë takim të parë dhe një gjë të tillë e ka shprehur edhe në prononcimin e dhënë për mediat:
“Ishte një fitore e rëndësishme për ne sepse treguam që mund të fitojmë edhe pa lojtarët tanë kryesorë. Për ne ishte detyrim edhe pse ekipi nuk ishte i plotë. Kjo fitore do na shtojë dëshirën për të vijuar punën për javën tjetër.
Para ndeshjes i dhashë një objektiv djemve: Të mos e nënvlerësonin kundërshtarin dhe këtë e shfaqën edhe në fushë sepse shënuan më shumë se 60 pikë. Objektivi jonë ishte të shënonim mbi këtë kuotë pikësh por më duhet të them se në 3-4 minutat e fundit të ndeshjes, Vllaznia ka çaluar në lojën e saj.
Ne na humbi mendja dhe i dhamë mundësi kundërshtarit të shënonte pikë të lehta.Përballë kësaj skuadre si Barleti Eagles, mund të lejonim të ndodhte një gjë e tillë, Nëse ne duam të fitojmë diçka të madhe, na duhet të luajmë 40 minuta dhe jo 35-36 minuta si luajtëm në këtë ndeshje.
Ne kemi një grup lojtarësh të mirë por jo ende një skuadër të mirë. Dhe ne duhet të punojmë për ta arritur këtë gjë, në çdo ndeshje, në çdo stërvitje. Duhet të qëndrojmë të bashkuar, duhet të ndjekim rregullat tona dhe të luajmë deri në fund.Sepse në qoftë se kjo na ndodh ndaj Gogës, Teutës, Partizanit dhe Tiranës, do na mundin krejt kollaj”.
www.shkodrasport.com