Ka dy muaj që është emëruar në krye të Vllaznisë megjithatë ende nuk ka nisur stërvitjen me ekipin. Disi e palogjikshme por në fakt ky është realiteti i basketbollit shqiptar teksa ende nuk ka një datë nga FSHB se kur do të nisë kampionati.

Trajneri Nikolai Gospodinov megjithatë i ka idetë e qarta se kur duhet filluar stërvitja, lojtarët që i duhen për skuadrën dhe po ashtu edhe për objektivat e saj. I ka rrëfyer të gjitha këto në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport” kur ka deklaruar:

– Mister, kur do të nisë stërvitjen ekipi i Vllaznisë?

– Të hënën e datës 2 shtator?

– Shtator?

– Po, po në shtator.

– Mos jeni vonë?

– Jo. E para kontratat e gjithë basketbollistëve tonë startojmë më 1 shtator dhe e dyta, kampionati pritet të fillojë në tetor.

– Vetëm dy amerikanë kanë firmosur deri tani. Do të ketë edhe lojtarë të tjerë që do të vijnë tek Vllaznia?

– Ne jemi në bisedime edhe me lojtarë të tjerë, por nuk mund t’i bëjmë të ditur emrat e tyre pa i konkretizuar gjërat.

– Vllaznia është më e fortë me këta dy amerikanët që kanë firmosur tashmë?

– Nuk e di si do të veprojnë ekipet e tjera, por besoj se ne jemi më të fortë tashmë.

– Ka nevojë Vllaznia për lojtarë të tjerë?

– Besoj se të paktën na duhen edhe dy lojtarë të tjerë.

– Flitet për një pjesmarrje të mundshme të Vllaznisë në Ligën Ballkanike. Do të jetë kjo diçka e mirë për skuadrën?

– Unë mendoj se është një gjë e mirë sepse do të na ndihmojë të ruajmë formën e lojës dhe të rritemi më shumë nga ana profesionale.

– Mister, faleminderit për gatishmërinë…

– Faleminderit nga ana Juaj!