Edhe pse luan me një ekip që nuk fituar trofe madhorë në futbollin shqiptar, dashuria dhe besnikëria e mbrojtësit të Erzenit Jurgen Goxha ndaj skuadrës shijakase është e pashembullt. 25-vjeçari, që këtë sezon nuk ka reshtur së vrapuari dhe sakrifikuari për ekipin udhëheq si golashënuesi më i mirë në Kategorinë e Parë me 7 gola duke vënë ekipin mbi veten dhe gjithçka.

Në një intervistë për Newsport, mbrojtësi “alla Sergio Ramos” tregon se nëse do t’i ofrohej një ekip elitar, ai do të mendohej mirë nëse do të largohej nga Erzeni, skuadrën e cila për të do të thotë dashuri, përkushtim dhe pasion i zjarrtë.

-Në mungesë të sulmuesve të të skuadrës, ju keni marrë përsipër të dilni nga pozicioni i mbrojtësit dhe të të bëheni golashënuesi më i mirë i kampionatit. Si ke arritur të përshtatesh në këtë rol? Mos je frymëzuar nga Sergio Ramos?

Më pëlqen ky rol. Deri në moshën e vogël luaja sulmues, por pastaj trajnerët më kaluan në mbrojtje dhe është tashmë pozicioni ideal për mua.Po, është frymëzimi i çdo mbrojtësi Ramos dhe më pëlqen mënyra e lojës së tij.

-Pas 14 javësh, distanca midis jush dhe Vllaznisë është 7 pikë. A është zbehur optimizmi te ekipi juaj për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore apo keni besim të madh se do t’ia dilni?

Kemi besim shumë të madh. 7 pikë nuk janë asgjë. Me përgjysmim janë 3. Por, s’duhet harruar që kemi ndeshjen direkte me Vllazninë dhe diferenca mund të ngushtohet shumë.

-Mund të më flisni për trajnerin tuaj Gentian Stojku. Çfarë mentaliteti ka si trajner, si e komandon ekipin, mënyra si sillet dhe komunikon me lojtarët?

Presori është fryti I këtij Erzeni. Falë punës së tij ne jemi këtu dhe që lojtarët janë në formë të mirë.

-Në faqen zyrtare të Erzenit në Facebook, klubi pretendon se është ndëshkuar padrejtësisht nga gjyqtarët në ndeshjet e fundit me Dinamon dhe Besëlidhjen. Mendoni se ndaj jush po bëhet një gjykim i padrejtë dhe i barabartë?

Kemi pasur shumë. Nuk janë vetëm vetëm këto dy ndeshje, ka dhe të tjera. Jemi lodhur me këto probleme. Zoti është i Madh dhe i shikon të gjitha. Shpresoj që megjithë vuajtjet të jetë Erzeni ekipi që do të buzëqeshë në fund të kampionatit.

-Do të pranoni të vazhdoni me Erzenin apo do të prisni ndonjë ofertë nga Kategoria Superiore?

Jam pjesë e Erzenit. Oferta ka, por jam i përqëndruar te ekipi im. Jam me pushime. Më pas të shohim, nuk e di.

-Nëse do të krahasoje Kategorinë e Parë me Kategorinë Superiore, mos vallë tek ju ka më shumë spektakël meqë realizohen shumë gola nga java në javë?

Deri tani jemi ekipi që kemi bërë lojën më të bukur në Kategorinë e Parë. Ndoshta e krahasoni me Superioren kur shohim që ekipet fitojnë shumicat e ndeshjeve me rezultatin 1-0.Te ne lojtarët shqiptarë dhurojnë spektakël, po prapë ata me ngjyrë konsiderohen më të mirë. Pa ofenduar asnjë, mos vallë duhet të lyhemi dhe ne me bojë?! (qesh)

-Si është marrëdhënia juaj me tifozët? Sa kërkues janë ata ndaj jush?

Tifozët janë forca e skuadrët tonë. Janë më të çmendurit, nuk na lënë kurrë vetëm si në borë dhe në breshër e çfarëdo të jetë. Vijnë shumë në stërvitje, komunikojnë shumë. Janë të çmendur, me pak fjalë.

-Do të pranoni të qëndroni te Erzeni edhe nuk ngjiteni në Kategorinë Superiore apo do të kërkoni një eksperiencë tjetër?

Jam në moshën më të mirë. Dua me Erzenin të bëj karrierë, por nëse kam një ofertë më të mirë nga Kategoria Superiore, do ta mendoja mirë dhe do të shikoja dhe karrierën time, edhe pse e ndiej fanelën e Erzenit. Është një fanelë e rëndë për futbollin shqiptar./newsport/