Golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit shqiptar të futbollit, Vioresin Sinani, prej disa kohësh ka nisur punën e trajnerit.
Fillimisht ka qenë zëvendëstrajner tek Vllaznia, më pas ka punuar me ekipet kombëtare rajonale të moshave ndërkohë që prej dy vitesh kryen edhe detyrën e zëvendëstrajnerit të ekipit kombëtar të femrave.
Por së fundi, ai është ngarkuar nga FSHF të bëjë edhe një detyrë tjetër. Për ndeshjen e rradhës të kombëtares shqiptare, asaj që do të luajë ditën e enjte në Slloveni, Sinani do të bëjë detyrën e trajnerit të parë.
Kjo ngaqë siç dihet, trajneri i parë i këtij ekipi Armir Grima, prej disa kohësh është i ndaluar nga policia dhe deri në zbardhjen e situatës së tij, Federata ka vendosur ta pezullojë nga kjo detyrë.
Por drejtuesit e Federatës nuk kanë menduar një zgjidhje tjetër përveçse nga stafi aktual. Prandaj dhe ia kanë besuar drejtimin e ekipit një tjetër legjende të futbollit siç është Vioresin Sinani.
Kombëtarja do të grumbullohet sot në Durrës për ndeshjen ndaj Sllovenisë dhe ka qenë ish- goleadori i njohur ai që ka hartuar listën e lojtareve që do grumbullojë.
Një gjetje e duhur e vetë institucionit të futbollit shqiptar, duke ditur vlerat e Sinanit.
© shkodrasport.com