Arsenali ka hedhur një hap të gabuar në rrugën drejt titullit kampion, duke barazuar në transfertë me rezultatin 2-2 ndaj Uest Ham. Barazimi i dytë radhazi pas atij ndaj Liverpul, e ka bërë Arsenalin që të ndjejë seriozisht kërcënimin e Mançester Sitit në garën për titull.

Një penallti e humbur nga Saka në pjesën e dytë, ka bërë që tifozët të dalin kundër futbollistit të tyre, megjithatë Granit Xhaka i ka dalë në mbrojtje teksa është i bindur se Arsenali mund të fitojë titullin me ndeshjet që kanë mbetur. Tekniku Arteta u shpreh se Arsenalit i mungon mentaliteti, teksa vetë Xhaka e hedh poshtë diçka të tillë.

“Nuk është çështje mentaliteti. Sigurisht që nuk është. Nëse diçka nuk shkon mirë, është e lehtë të drejtojmë gishtin te dikush por tani është koha për të qenë bashkë sepse kemi edhe 7 ndeshje. Jemi në rregull, nuk shohim Mançester Sitin.

Duhet të fitojmë ne ndeshjet tona dhe nëse arrijmë të fitojmë pa lënë pikë rrugës, ju e dini më mirë se unë se çfarë ndodh më pas”, u shpreh Xhaka për mediat angleze.