Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka treguar se gjatë ndeshjes me Anglinë për 120 minuta luajti me një lëndim muskulor që e kishte marr pas ndeshjes me Italinë.

Por Xhaka nuk ka pranuar ta lë ekipin vet në fushë, duke luajtur gjithë ndeshjen, madje me një paraqitje shumë të mirë. Ai foli për eliminimin, pastaj për penalltinë e Manuel Akanjit dhe problemet fizike.

“Është e vështirë të gjesh fjalët e duhura tani. Nuk mendoj se mund të thuash diçka të keqe për askënd në ekip apo staf. Nuk ka rëndësi nëse është e drejtë apo e padrejtë. Të gjithë dhanë gjithçka dhe ne mund të jemi krenarë. Ne nuk patëm fatin në anën tonë në penallti”.

“Akanji? Dikush duhet të bëjë gjuajtjen e penalltive. Unë vetë kam qenë në këtë pozicion. Kjo vetëm e bën më të fortë. Kokën lart! Jam krenar me atë djalë”.

“Problemet fizike? Tani mund ta them: të hënën u diagnostifikova me një fibër muskulore të çarë në aduktorët e mi. Por unë doja të isha aty për ekipin dhe të shtrëngoja dhëmbët. Nuk mund të godisja topa të gjatë ose të gjuaja në portë gjatë lojës. Ndryshe shkoi mirë”, deklaroi Xhaka.

Mesfushori shqiptar ishte prej lojtarëve më të mirë në Euro 2024, duke u shpallur dy herë ‘Lojtar i ndeshjes’./Telegrafi/