Pak muaj më parë, Eros Grezda hodhi një hap të madh në karrierë duke u transferuar nga Osijeku në drejtim të Rejnxhërsit aty ku ka arritur të gjejë minuta dhe shihet si një lojtar mjaft premtues nga trajneri Stivën Xherard.

Por, mesa duket Grezda nuk do të jetë shqiptari i vetëm që luan në ‘Ibrox Stadium’, duke qenë se në mediat skoceze po lakohet edhe një emër tjetër.

Ka mjaftuar një foto e postuar në ‘Instagram’ nga sulmuesi kuqezi, që në Skoci të nisin aludimet për një transferim të ri. Grezda ka postuar një foto me sulmuesin shqiptar që ka luajtur me 21-vjeçarët e Zvicrës, Florian Kamberi. Sulmuesi 23-vjeçar që luan me skuadrën e Hibernian, më parë ka qenë i huazuar në këtë skuadër nga Grasshopersi, para se skocezët të blinin kartonin përfundimisht dhe në kampionatin skocez, po bën paraqitje të mira.

Mediat skoceze raportojnë se nga ky takim, mund të ketë një diskutim për të bindur Kamberin që të transferohet te Rejnxhërsi duke qenë se është ambientuar mirë me kampionatin. Ndërhyrja e Grezdës për ta bindur, mund të jetë një armë e mirë për Rejnxhërsin që të firmosë me sulmuesin që deri më tani ka shënuar 18 gola në 34 ndeshje.

Kujtojmë që vetëm dy ditë më parë, Hibernian arriti të merrte një barazim pa gola në shtëpi ndaj Rejnxhërsit dhe të dy shqiptarët, si Kamberi ashtu edhe Grezda ishin titullarë në këtë takim. Kamberi ende nuk ka debutuar me fanellën e skuadrës së parë të Zvicrës, ndërsa me të rinjtë ka shënuar edhe një gol në 4 ndeshje/vipsport/