Atletico Madrid fitoi trofeun e Europa League për herë të tretë në historinë e vet, pasi mposhti 3-0 Marseille në finalen e luajtur në tokën franceze.
Antoine Griezmann ishte heroi i ndeshjes për skuadrën spanjolle, pasi realizoi dy gola, ndërsa Atletico nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren.
Francezi, që luante në stadiumin e Lionit, fare pranë vendit ku kishte kaluar fëmijërinë, realizoi golin e parë në minutën e 21-të kur i vetëm përballë portierit francez Mandanda dërgoi topin në rrjetë pa shumë vështirësi.
Fatal për marsejezët qe gabimi i Andre-Frank Zambo Anguissa, i cili e humbi topin fare pranë zonës së vet, duke lejuar Griezmann të shkonte i lirë në “takimin” me golin.
Sikur të mos mjaftonte goli i pësuar, Marseille humbi edhe kapitenin Dimitry Payet, i cili u largua në minutën e 32-të nga loja pas një dëmtimi.
Katër minuta nga fillimi i pjesës së dytë madrilenët shënuan edhe golin e dytë kur Koke i dha të zakonshmit Griezmann një pasim të artë në zonë, të cilin francezi nuk e shpërdoroi.
Koke pati një tjetër rast të mirë për të shënuar 20 minuta nga fundi i takimit, por Mandanda arriti të bllokonte.
Një minutë nga fundi i takimit Koke u bë sërish protagonist kur dha një tjetër asist, këtë herë për kapitenin Gabi, që në hyrje të zonës realizoi golin e tretë të ndeshjes.
I vetmi rast për t’u mbajtur mend për Marseille ishte një goditje shtylle e Konstantinos Mitroglou, i cili ishte i saktë në takimin me topin në ajër, por i pafat në ekzekutim.
Në fund, titulli i parë eruropian i sezonit shkoi në Madrid, në pritje të finales së madhe të javës së ardhshme, asaj mes Real Madrid e Liverpool në Champions League./EDS/
Marseille 0 – 3 Atletico M.
Shënues: / Griezmann 21, 49’, Gabi 89’