Trajneri i Vllaznisë Shpëtim Duro e ka konsideruar si të vështirë gjatë gjithë këtyre ditëve ndeshjen e rradhës me Apoloninë që do të luhet të dielën pasdite në orën 17.00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Ai e ka vlerësuar skuadrën fierake duke thënë se pozicioni i saj në renditje nuk tregon gjendjen e vërtetë të saj. Por për t’u informuar edhe më mirë për gjendjen e këtij kundërshtari, për pikat e forta dhe të dobëta të tij, drejtuesit e Vllaznisë kanë ndjekur një strategji tjetër. Burime pranë tyre bëjnë të ditur se dy ditë më parë drejtori sportiv Armir Grima i ka telefonuar një mikut të tij, Armando Cungut që aktualisht drejton ekipin e Kukësit për ta pyetur pikërisht për Apoloninë ngaqë javën e kaluar kukësianët kanë qenë mysafirë në Fier.


Pas Grimës, në telefon ka hyrë edhe trajneri Shpëtim Duro që ka dëgjuar me veshët e tij atë çfarë i ka dhënë kolegu i tij. Nga sa merret vesh, Cungu ka vlerësuar disa anë pozitive të skuadrës së Apolonisë ngaqë Kukësi ndoshta ka qenë me fat që barazoi javën e shkuar 0-0 përballë kësaj skuadre. Sigurisht që me këto shpjegime që ka marrë, Duro do t’i bëjë edhe më mirë llogaritë për takimin e nesërm.
www.shkodrasport.com