Trajneri i Kombëtares shqiptare të femrave, Armir Grima, foli në emisionin “SportZone” në MCN TV, për arritjen e Vllaznisë së femrave, që u kualifikuan në grupet e Ligës së Kampioneve.

Grima u shpreh se jo është një arritje e madhe, jo vetëm për Shkodrën, por për gjithë Shqipërinë dhe futbollin shqiptar të femrave.

Në lidhje me Kombëtaren A, ai u shpreh se është i kënaqur me atë që ka treguar skuadra, ndërsa shtoi se problemi më i madh për futbollin e femrave është periudha e verës, ku futbollistet qëndrojnë për 3 muaj pushim.

Jo vetëm për Shkodrën, por për gjithë Shqipërinë është një arritje e madhe dhe sukses i merituar për vajzat shkodrane. Është një arritje shumë e madhe për futbollin e femrave ky që ka bërë Vllaznia këtë sezon. Nuk është gjë që bëhet me buton, është punë e disa viteve. Është një sukses madh dhe i merituar.

Kjo është puna e presidentit, që arriti këtë sukses me ekipin e vet. Futbolli i femrave në Shqipëri, ka bërë hapa gjigand, për aq mundësi sa kemi ne.

Kombëtarja A e femrave, presim për ndeshje miqësore. Kishim një ftesë nga Zvicra tani në nëntor, por duke qenë se Vllaznia ka kalendar të ngjeshur dhe ne kemi shumë lojtare të Vllaznisë, e refuzuam atë ndeshje. Kemi bërë një përfaqësim të mirë dhe kemi arritur të marrim pikë. Nuk jemi më ajo Shqipëria, që matet sa gola ka pësuar. Jam mëse i kënaqur, në vetvete kam kërkesa për vajzat, por e përgjithshmja është e mirë dhe jemi të kënaqur për atë që kemi arritur.

Kemi nevojë edhe për pak fat në short. Të mos jemi me 3 ekipe cilësore. Jo vetëm të bëjmë lojëra të mira, por duhen edhe rezultate. Futbolli i femrave në Shqipëria, ka një problem shumë të madh. Periudha e verës është shumë e vështirë. Është e patolerueshme që një futbolliste të rrijë 3 muaj pushim. Tani që është krijuar edhe kombëtarja e Kosovës, është e vështirë që të marrësh lojtare në Kosovë. Ndonjë vajzë cilësore që ka ardhur te Vllaznia, do përpiqemi ta pajisim me pasaportë, për ta mbajtur.

Janë bërë projekte, se si mund t’i mbajmë vajzat të motivuara edhe në periudhën e verës. Klubet nuk i mbajnë në stërvitje gjatë periudhës së verës. Do ishte shumë e mirë, që të kishim një kampionat të fortë. Do e kishim më të lehtë përzgjedhjen e lojtareve. Them që do bëhet një punë më e mirë.

Jo vetëm kombëtaren, por ne shikojmë edhe kampionatet. U-19 ka bërë shumë mirë në këto eliminatorë që kishim. Nëse vajzat ishin në gjendje optimale, mund të dilnim të parët e grupit. Puna e mirë, do të sjellë një sukses tjetër të U-17.