Eufori por jo vetëm. Në kampin shkodran ka edhe qëndim me “këmbë në tokë” pikërisht dy ditë para ndeshjes së rradhës, atë me Tiranën. Ka qenë vetë drejtori sportiv Armir Grima ai që ka dashur t’u kujtojë futbollistëve të skuadrës së tij se me fitoren ndaj Kukësit nuk kanë bërë asgjë tjetër përveç detyrës. “Po shoh që ndoshta ka më shumë eufori sesa duhet pas fitores me Kukësin. Vërtetë ka qenë një fitore shumë e rëndësishme por Vllaznia ka bërë vetëm detyrën e saj. Asgjë më shumë. Futbollistët prandaj janë pjesë e kësaj skuadre, për të justifikuar jo vetëm paratë që marrin por edhe fanellën kuqeblu që mbajnë të veshur.

Në rrethana të tilla duhet të mendojmë tashmë vetëm për ndeshjen e rradhës me Tiranën. Duhet ta fitojmë me çdo kusht këtë takim sepse është shumë I rëndësishëm për ne”- ka thënë ai. Fjalët që thotë ish-portieri I njohur tashmë në rolin e drejtuesit të lartë të Vllaznisë janë vërtetë ato që duhen në këto momente. Në Shkodër askush nuk do ua falte kuqebluve një dështim të dytë si në takimin e parë të kampionatit me Flamurtarin. Megjithatë loja e zhvilluar në Kukës ka lënë vend për shpresë në rritjen e rezultateve.
Kthesa e Kukësit
Nëse nuk do ishte marrë pikë në sfidën e së shtunës në Kukës, sot gjërat do kishin qenë shumë më ndryshe. Vllaznia gradualisht do hynte në një krizë ku ajo ka treguar se e ka të vështirë të dalë. Për më tepër, nisur nga elementi I ri që ka aktualisht në përbërje të saj. Për këtë arsye, drejtori Grima e vlerëson shumë atë trepikësh. “Mund edhe të mos kishim fituar këtë ndeshje por e rëndësishme ishte që futbollistët treguan shpirt gare. Shumë më tepër se në ndeshjen e parë me skuadrën vlonjate ku lanë për të dëshiruar në këtë takim. Përpos kësaj, nul luajtën vetëm në mbrojtje por shikuan më përpara edhe në pjesën e parë por sidomos në pjesën e dytë. Ky ndryshim na jep shpresë për përmirësim edhe më shumë të lojës në të ardhmen”- ka thënë Grima.
Ka vend edhe për kritika
Pas një fitore zakonisht harrohen shumë gjëra por në fakt në kampin shkodran ka vend edhe për kritika sërish. Në Kukës jo gjithçka ka shkuar mirë. Pra ka patur edhe gabime dhe këtu kërkon të ndalet drejtori sportiv I klubit kur thotë: “Vërtetë ne fituam por jo gjithçka ka qenë në rregull. Në momente të ndryshme të lojës skuadra ka treguar jo pak dobësi sidomos në fazën mbrojtëse duke u çorientuar totalisht. Këto gjëra nuk duhet të ndodhin më sepse nëse dolëm fitues në Kukës, mund të na ndëshkojë kundërshtari I rradhës, Tirana. Stafi drejtues besoj se e ka të qartë këtë gjë dhe po merr masat e duhura bashkë me sportistët për t’I korigjuar ato”. Në fakt kjo është e domosdoshme, korigjimi I gabimeve të mëparshme sepse vetëm kështu mund të ecet përpara.
Elozhe për trajnerin
Drejtori Grima në fjalën e tij sigurisht që gjen rastin të flasë edhe për trajnerin Canaj duke I thuruar elozhet e duhura për lëvizjet taktike që bëri në skuadër gjatë pjesës së dytë, pikërisht pas momentit të pësimit të golit të barazimit. “Futja fillimisht e Krujës në mesfushë, kthimi I Belishës në të majtë të mbrojtjes, kalimi I Seminës në qendër dhe spostimi I Sykjes përpara në mesfushë neutralizuan presionin e kukësianëve që po kërkonin të na shënonin edhe golin e dytë. Ky ishte një veprim shumë I zgjuar dhe me vend I trajnerit Canaj. Ai më pas futi edhe Bardullën, që I dha edhe më shumë gjallëri mesfushës dhe prandaj erdhi fitorja. Gjithsesi prova e vërtetë e Vllaznisë është ndeshja e rradhës me Tiranën të cilën duhet ta fitojmë patjetër”- ka thënë Armir Grima në prononcimin e tij.
Gjergj KOLA