Pavarësisht lajmeve që qarkullojnë në media, Vllaznia nuk duket të jetë aspak e interesuar të futet në merkato për të marrë lojtarë cilësorë. Për më tepër, dy futbollistë si Tomislav Bushiç dhe Edon Hasani të cilët janë pjesë e Tiranës dhe Kukësit dhe kuptohet që do ishte shumë e vështirë për t’i marrë.
Por përveçse e vështirë, marrja e lojtarëve të tillë nuk konsiderohet e nevojshme për klubin shkodran, nisur nga vetë pozitat në të cilat ai ndodhet në renditje. Këtë gjë e ka konfirmuar për gazetën drejtori sportiv i klubit Armir Grima i cili kërkon të heqë njëherë e mirë iluzionet e një merkatoje të bujshme në janar.“Dua të sqaroj publikun se pavarësisht asaj çfarë shkruhet në gazeta, Vllaznia nuk ka ndër mend të bëjë ndonjë merkato të madhe. Merkatoja jonë në këtë pjesë të sezonit do të jetë me pikatore sepse do të mendojmë kryesisht për të ardhmen. Vllaznia në këtë sezon duke shikuar edhe ekipet e tjera, nuk ka ndonjë objektiv për të qenë më lart në tabelën e klasifikimit prej atyre ku është. Ndarja e skuadrave thuajse është bërë dhe në rrethana të tilla, do të tentojmë promovimin e lojtarëve të rinj. Ne mund të them se tani as nuk ndihemi të rezikuar që të futemi në merkato se është një domosdoshmëri. Tani ne jemi në pozita të tilla që më mirë të mendojmë për të ulur shpezimet dhe të afirmojmë lojtarët tanë të rinjë, të cilët po tregojnë se janë lojtarë me shumë vlera. Sa për Bushiçin e Hasanin, as nuk kemi biseduar dhe as nuk e kemi ndër mend të bisedojmë sepse nuk duam lojtarë për 6 muaj. E vetmja ndërhyrje që mund të bëjmë është nëse gjejmë ndonjë lojtar cilësor që do të luajë me ne edhe sezonin e ardhshëm”- ka thënë ai.
Uruguajanët
Ndonëse Grima thotë se merkatoja e kuqebluve do jetë me pikatore, burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se në ditët e para të janarit mund të vijnë për t’u provuar 2-3 futbollistë uruguajanë. Kjo nuk flitet tani por ka ditë që diskutohet. Pikërisht që pas vizitës së Grimës dhe drejtorit të Akademisë Hoxha në Itali e Zvicër ku janë takuar me menaxherin e njohur Pablo Betancourt. Gjatë asaj bisede, ky i fundit i ka premtuar drejtuesve kuqeblu sjelljen e 2-3 lojtarëve uruguajanë për provë gjatë janarit dhe pasi ata do të testohen mirë nga ana e stafit teknik, do të vendosin nëse do t’i mbajnë apo jo. Ende nuk dihen të dhënat e këtyre futbollistëve por kjo mbetet për t’u mësuar në ditët në vazhdim.
Të rinjtë
Në pritje të ardhjes për provë të tre uruguajanëve, drejtuesit e klubit Vllaznia po mendojnë më shumë për të rinjtë e vet, ata të Akademisë. Kështu ata kanë programuar të firmosin kontrata afatgjata me tre më të dalluarit aktualisht, pikërisht Ardit Krymin që po luan me sukses si titullar, me Erald Çinarin që ka qenë pjesë e skuadrës në takimet e fundit si dhe me mbrojtësin e majtë Esin Hakaj. Ato konsiderohen elementë me perspektivë dhe si e ardhmja e Vllaznisë prandaj drejtuesit kuqeblu po shohim promovimin sa më shumë të tyre tashmë që thuajse objektivat e skuadrës janë arritur.
Gjergj KOLA