Drejtori sportiv i klubit Vllaznia Armir Grima ka qenë tejet i nervozuar në fundin e ndeshjes. Më së shumti me gjyqtarët por edhe me skuadrën e tij. Në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” ai ka bërë të ditur se ndeshja me Apoloninë do studiohet me imtësi dhe me shumë siguri do ketë edhe masa ndëshkimore ndaj futbollistëve. “Jam shumë i revoltuar nga ajo çfarë ndodhi në këtë ndeshje. Sigurisht një pjesë të irritimit e kam me gjyqtarët sepse mendoj se na u mohua një 11-metërsh dhe po ashtu gjyqtari nuk zbatoi shtesën 5 minutëshe që vetë akordoi.


Por më shumë jam i revoltuar me lojtarët e ekipit tonë. Ata nuk kishin nevojë ta çonin ndeshjen tek ajo penallti që mund të jepej ose jo sepse duhej ta kishin fituar vetë atë. Nuk e kuptoj se çfarë po ndodh. Këta lojtarë kanë ardhur për të luajtur me Vllazninë dhe për ta justifikuar veshjen e fanellës së saj por disa prej tyre duket se janë në vendin e gabuar. Dhe nëse është vërtetë kështu, bëjnë mirë të shkojnë të luajnë diku tjetër. Gjatë këtyre ditëve do ta analizojmë me hollësi këtë ndeshje dhe do të dalim edhe në masat e para. Çdokush do vlerësohet dhe do paguhet për atë që jep në fushë. Nuk ka më tolerime sepse kjo Vllaznia është ndërtuar për të fituar dhe jo për të dhuruar ndeshje të tilla. Sa për gjykimin, do të jem nesër në Federatë për t’u ankuar zyrtarish për të”-ka thënë Grima në prononcimin e tij.

 

www.shkodrasport.com