Vllaznia nuk ka dëshirë ta lëshojë Vajushin dhe asnjë futbollist tjetër por kjo varet nga kontratat që kanë të nënshkruara. I është përgjigjur në këtë mënyrë drejtori sportiv I klubit shkodran Armir Grima, pyetjes se çfarë po bëhet me skuadrën kuqeblu e cila në vend që të forcohet, po dobësohet me largimin e lojtarëve të saj kryesorë. Të gjitha këto ai I ka bërë të ditura në intervistën e tij për “Shkodra Sport” ditën e djeshme kur ka thënë:
-Grima, çfarë po ndodh me Vllazninë. Thuhet se do largohet edhe Vajushi apo jo?
-Po, nga sa kemi kontakt, Vajushi ka rënë dakord me klubin e Liteksit dhe tashmë pritet vetëm firmosja e kontratës. Unë mendoj se është punë e kryer ngaqë sot (dje) kemi patur kontakt me drejtues të Liteksit që na kanë kërkuar me ngulm numrin e llogarisë së klubit tonë për derdhjen e parave që I detyrohen klubit Vllaznia për marrjen e këtij lojtari sepse duan të mbyllin punë sa më shpejt për ta bërë të tyrin Vajushin.
-Pra, nuk ka shpresa më për ta mbajtur këtë lojtar?
-Unë them që jo. Madje, nëse doni ta dini, personalisht për mua ka qenë e pritshme ikja e tij. Ofertat e shumta që pati gjatë gjithë verës dhe po ashtu edhe shpallja së fundi si lojtari më I miri I kampionatit shqiptar për vitin 2011, ia rritën vlerat atij. Por nga ana tjetër, ne si klub nuk mund të bënim asgjë për ta penguar këtë lojtar sepse ishte kontrata e nënshkruar, ajo që vendoste gjithçka. Pra, nëse një klub paguan 100 mijë euro tek Vllaznia për Vajushin, është e gatshme ta marrë dhe prandaj Liteksi, pasi ta bëjë këtë gjë, është I lirë për të marrë shërbimet e tij.
-E shikoni positive apo negative largimin e këtij futbollisti?
-Në aspektin sportiv kurrsesi nuk do isha dakord që ai të largohej nga Vllaznia sepse është një lojtar shumë I vlefshëm për ne. Por e thashë, janë kontratat e nënshkruara ata që vendosin në këtë mes.
-Brenda pak kohësh Vllaznisë I largohen Sukaj dhe Vajushi dhe skuadra duket pa sulm. Si do ia bëni për t’I zëvendësuar këta futbollistë të një niveli të lartë?
– Ajo që premtojmë ne është se do të bëjmë maksimumin e mundshëm që të gjejmë lojtarët e duhur për t’I zëvendësuar.
-Por ndërkohë edhe portieri Vujadinoviç mund të largohet apo jo?
-Nuk kam informacion për këtë.
-A keni patur takim me të dy ditë më parë dhe a ju ka kërkuar ta lini të lirë?
-Po, është e vërtetë që kam patur një takim por nuk më ka thënë se don të ikë. Thjesht më ka thënë që ishte I mërzitur për disa arsye dhe kaq por jo se don të largohet sepse në fund të fundit, nuk mund ta bëjë dhe nuk do ta lejojmë ta bëjë ngaqë ka kontratë me ne deri në fund të sezonit.
-Më saktë, kush do vijë tek Vllaznia gjatë merkatos së janarit?
-Këtë nuk mund t’ua them sepse ende nuk kemi vendosur asgjë. Jemi në bisedime me disa lojtarë, po shohim shumë mundësi dhe në fund besoj se kemi për të marrë lojtarët e duhur që të na shërbejnë për fazën e dytë të kampionatit.
Gjergj KOLA