Armir Grima, ish-kapiteni i Vllaznisë dhe ishdrejtues i klubit kuqeblu, flet me superlativa për skuadrën aktuale, drejtuesit dhe për tifozërinë shkodrane.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-portieri që tani drejton Kombëtaren e femrave në futboll, evidenton meritat e trajnerit Qatip Osmani në këtë ecuri fantastike të Vllaznisë. Grima shprehet se trajneri i ka kthyer fytyrën kësaj skuadre.

Grima, si do ta komentonit ecurinë e kësaj Vllaznie, e cila nuk po di të ndalet?

Mendoj se Vllaznia është një skuadër që po merr rezultate bindëse nga njëra ndeshje në tjetrën. Së fundi ka mundur një ekip në rritje, siç është Skënderbeu. Kjo tregon se Vllaznia ka qëndrueshmëri në rezultate, nuk është ajo Vllaznia e luhatjeve në rezultate.

Sipas jush, cili është çelësi i suksesit të kësaj skuadre?

“Çelësi” i suksesit për mua është trajneri Qatip Osmani, i cili futi qetësinë e nevojshme në skuadër. Duke e parë nga jashtë, mendoj se kjo gjë i ka munguar ekipit dhe për këtë duhet vlerësuar trajneri. Dhe po ashtu duhet lavdëruar presidenti për zgjedhjen e goditur që ka bërë me zgjedhjen e Osmanit. Gjithçka që reflektohet në lojë dhe në rezultate, mendoj se është merita e trajnerit.

A mund të quhet tani e kryer çështja e katërshes për Vllazninë?

Besoj që me këtë atmosferë që është krijuar rreth ekipit, me frymën brenda tij dhe afrimin e tifozërisë shkodrane, katërshja nuk mund të diskutohet. Por gjithmonë duhet ecur duke luftuar, siç po luftojnë djemtë në çdo ndeshje.