Drejtori sportiv i klubit të futbollit Vllaznia Armir Grima në një dalje të tij publike në media, ka sqaruar shumë gjëra që kanë të bëjnë me ecurinë e kësaj skuadre, problematikën që hasi në merkaton e janarit por edhe për anën financiare, aq shumë të përfolur. Në prononcimin e tij, ai e ka bërë të qartë se Vllaznia nuk duhet të përdoret politikisht nga askush, qoftë për të sulmuar dikë, apo qoftë edhe për të ngitur probleme që nuk ekzistojnë.
“Ne vërtetë nuk jemi një klub i pasur por duhet ta dinë të gjithë se ekipit të Vllaznisë nuk i ka mbetur asnjë rrogë pa dhënë deri në fundin e vitit 2013. Ekipit të Vllaznisë nuk i kanë munguar premiot për asnjë rezultat pozitiv, këtij ekipi nuk i kanë munguar grumbullimet asnjëherë dhe as kushtet e tjera të domosdoshme. Unë e kam të qartë se do ishte më mirë të kishte më shumë financa por të mos harrojmë edhe kushtet në të cilat ndodhet Bashkia Shkodër dhe financat e saj. Shumëkush thotë se kryetari i saj, z.Luka nuk është shumë tifoz. Edhe këtë e pranoj dhe nëse do ishte sa gjysma e z. Gjika për shembull, gjërat do ishin edhe më mirë. Por edhe në këto kushte, ai është munduar t’ia plotësojë të gjitha kushtet skuadrës dhe po bën më të mirën e mundshme për të ardhmen e saj”-ka thënë Grima. Nga ana tjetër, ai ka sqaruar edhe problemin e mosafrimit të ndonjë donatori duke hyrë garant për këtë gjë. “Kam dëgjuar arsyetime të ndryshme por të jeni të bindur se tek Bashkia Shkodër nuk kja trokitur asnjë biznesmen me një ofertë konkrete për të marrë drejtimin e Vllaznisë”. Drejtori sportiv i kuqebluve po ashtu ka folur edhe për merkaton e janarit duke u ndalur edhe tek çështja “Lika”. Në lidhje me këtë ka thënë: “Kemi dashur të plotësojmë ato reparte ku kishim më shumë nevojë, në mbrojtje dhe në mesfushë. Për këtë arsye na duheshin lojtarë të gatshëm për të na shërbyer menjëherë. Ne kemi provuar disa futbollistë që nuk ishin në gjendjen e tyre më të mirë fizike dhe duke qenë se neve nuk na duheshin për në prill apo në maj, i larguam. Dikush mund të thotë si u panë këto futbollistë për 30 apo 45 minuta. Unë them se mjaftojnë qoftë edhe 5 minuta për të parë një futbollist dhe gjendjen e tij. Mendoj se kemi bërë dy goditje të mira me marrjen e Vukçeviç dhe Nikoliç, të cilët i njohim. Njëkohësisht kemi afruar edhe disa futbollistë shkodranë që kanë luajtur me skuadrat e tjera dhe skuadra tashmë mendoj se është më e plotë. Në fakt, ne tentuam në fundin e merkatos për të marrë edhe Memellin apo së fundi edhe Gilman Likën. Këtij të fundit po ju them se i kemi bërë një ofertë shumë të mirë, nga më të mirat e kampionatit shqiptar por duket se Flamurtari i ofroi sërish më shumë dhe ai zgjodhi atë skuadër. Kjo është zgjedhje e tij. Por ajo për të cilën më ka ardhur keq për këtë futbollist është deklarata e tij kur ka thënë se “shkova tek Flamurtari për të marrë trofe”. Këtë nuk arrij ta kuptoj. Nëse do thoshte shkova tek Skënderbeu dakord, por jo tek Flamurtari megjithatë e përsëris, është çështje e tij. Ai veproi si ndonjë shkodran tjetër në verë, pa dashur të jap emra, me të cilin kishim rënë dakord për gjithçka dhe e kishim lënë për të nisur stërvitjen të nesërmen dhe ai zgjodhi tjetër skuadër. Ne nuk mund t’i imponohemi askujt. Dera e Vllaznisë ka qenë dhe vazhdon të mbetet e hapur për çdo shkodran, madje shumë raste kemi bërë më shumë sesa mundësitë reale për t’i sjellë në Shkodër por as kjo s’ka mjaftuar”. Për Grimën, skuadra e Vllaznisë duhej të kishte marrë medoemos pikë në ndeshjen me Skënderbeun dhe ai i quan të pafalshëm sërish gabimet e bëra në rastet e pësimit të dy golave. Megjithatë ai ka thënë se e rëndësishme është që skuadra të reagojë menjëherë duke filluar nga takimi i së shtunës me Teutën.
Gjergj KOLA