
Dorëzimi I presidencës nga Agron Çela për shkak të pengesës ligjore të mbajtjes së këtij pozicioni pas zgjedhjes së tij si deputet, ka bërë që Vllaznia të kthehet sërish nën administrimin e plotë të Bashkisë Shkodër. Por ndërkohë, pikërisht kjo gjë ka krijuar edhe iluzionin se skuadra do përbëhet nga lojtarë shkodranë dhe në pamundësi të financave, lojtarët do të duhet të luajnë edhe në mënyrë vullnetare për ta shpëtuar këtë skuadër. Por njeriu që I jep fund këtyre dyshimeve është drejtori sportiv Armir Grima. Duke folur për “Gazeta e Sportit” ai ka thënë: “Dua t’I sqaroj të gjithë se Vllaznia e sezonit të ardhshëm do përbëhet kryesisht nga futbollistë shkodranë. Por kjo nuk do të thotë se skuadra nuk do të ketë financat e duhura për të përballuar sezonin dhe futbollistët duhet të luajnë në mënyrë vullnetare, pa pagesë. Ata që mendojnë kështu, ta harrojnë atë. Bashkia Shkodër do të vazhdojë ta mbështesë nga ana financiare klubin e futbollit si më parë. Për këtë arsye, në ditët e ardhshme do ulemi të bisedojmë edhe me futbollistët që mendojmë të kemi në skuadër në sezonin e ri me të cilët do firmosim kontratat e reja”. Drejtori Grima ka edhe një ide tjetër shumë interesante para se të nisë punën për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri. Ai do ulet në tavolinë për të biseduar me ish- presidentin Çela për të biseduar me të rreth skuadrës. “Me shumë mundësi nesër (sot) do të ulem në tavolinë për të biseduar me zotin Çela rreth përvojës së tij tek Vllaznia, planeve të tij që ka patur për të ardhmen dhe të shohim se çfarë mund të marrim prej këtyre planeve për t’I zbatuar tek skuadra. Eksperienca e tij në krye të klubit gjatë këtyre muajve por edhe më përpara, na vlen prandaj dhe do nxjerrim mësime prej saj”- ka thënë ish- portieri I njohur tashmë në rolin e drejtuesit të klubit. Vllaznia kësisoj bëhet gati për t’u nisur në start për sezonin e ri. Një nisje që mund të jetë paksa e vështirë megjithatë duhet bërë sa më shpejt që të jetë e mundur sepse nuk ka kohë për të humbur. Megjithatë, gjëja kryesore në këto moment ndoshta është caktimi I trajnerit që do ta drejtojë atë. Ka shumë enigma rreth Artan Bushatit nëse ai do të vazhdojë të jetë në këtë pozicion apo jo. Pikërisht, I pyetur në lidhje me çështjen e trajnerit, drejtori Grima është përgjigjur: “Në takimin që do kem me zotin Çela do diskutojmë për shumë gjëra dhe një ndër to do jetë edhe ajo e trajnerit. Ende nuk mund të themi asgjë të saktë në lidhje me Bushatin por besoj se është punë ditësh caktimi I trajnerit dhe nisja e punës”. Në këtë mënyrë, tashmë duhet parë se çfarë do ndodhë. Ditët e ardhshme do jenë shumë intensive për drejtuesit e klubit. Atyre u duhet që t’u japin zgjidhje shumë problemeve dhe në fakt ata janë të interesuar ta bëjnë sa më parë këtë gjë. Kohë nuk ka për të humbur dhe në këtë mënyrë pritet që çdo ditë të ketë zhvillime të reja tek Vllaznia. Disa prej lojtarëve janë nën kontratë. Tashmë e rëndësishme është që të plotësohet edhe me të tjerë dhe skuadra do marrë formën e duhur.
Gjergj KOLA