Atmosfera në pragndeshjen me Skënderbeun ka ndryshuar disi në kampin shkodran, kuptohet edhe pas sponsorizimit të bërë nga ana e Lutfi Nurit duke i krijuar skuadrës kushte të mira për udhëtim dhe akomodim një ditë para ndeshjes. Si rrjedhojë e kësaj, ekipi i Vllaznisë ka lënë qytetin e tij në orën 14.00 të pasdites së sotme duke u nisur drejt Pogradecit ku do të kalojë natën në këtë pragndeshje. Përpara nisjes, trajneri Armir Grima në një prononcim për mediat ka thënë: “Normalisht që të paktën në letër është një ndeshje shumë e vështirë ndaj ekipit kampion, ndaj ekipit që po na përfaqëson denjësisht edhe në Europë.

Gjithsesi ne jemi Vllaznia, përfaqësojmë një qytet të madh, përfaqësojmë një futboll të madh dhe do të shkojmë për të bërë më të mirën e mundshme në këtë ndeshje pavarësisht vështirësive të pafund, me të cilat ndoshta u mësuam. Prandaj dhe do të kërkojmë një rezultat sa më të mirë”. Për të kërkuar një rezultat pozitiv sigurisht që duhen brenda shumë gjëra ndërkohë që Vllaznia ka ndërkohë edhe shqetësimin e disa mungesave në formacion. I pyetur sesi do ta zgjidhë këtë situatë të krijuar nga mungesa e Dragojeviç, Arbrit e ndonjë tjetër, Grima është përgjigjur: “Ky është futboll, duhet të përballesh edhe me mungesa megjithatë nuk është hera e parë që kemi mungesa. Por gjithsesi, me grupin e lojtarëve që kemi do të mundohemi të bëjmë më të mirën për t’i përballuar ato pavarësisht se do të jetë e vështirë. Megjithatë unë kam shumë besim tek djemtë që do të luajnë në vend të tyre”. Entuziasëm ka, në fund të fundit Vllaznia nuk ka se çfarë në këtë takim dhe këtë e kanë të qartë të gjithë. Njeriu që është duke drejtuar këtë skuadër prej pesë javësh, është munduar t’ua bëjë të qartë edhe futbollistëve këtë gjë dhe në fund të prononcimit të tij do të thoshte: “Vllaznia udhëton drejt Korçës me objektiv për të marrë maksimumin që mund të marrim prej kësaj ndeshje”.

© shkodrasport.com