Nga Maringlen ZHIVANI
Kombëtarja e Shqipërisë U-21 do të luajë dy ndeshje miqësore më 15 dhe 18-nëntor ndaj Moldavisë. Kuqezinjtë nisin të hënën grumbullimin për këto dy takime, teksa trajneri Alban Bushi ka publikuar listën me emrat e 22-futbollistëve të ftuar.
Pjesë e kësaj liste është edhe sulmuesi i Vllaznisë, Kevin Dodaj, i cili ka qenë vendimtar për kuqeblutë në dy sfidat e fundit. Ndërkohë, këtë herë pjesë e Kombëtares U-21 janë edhe disa shkodranë si Elton Fikaj, Klevis Haxhari, Amin Tahiri, Erald Maksuti apo edhe pukjani që luan me Arsenal, Maldin Kaçurri.
Në këtë listë, tetë futbollistë vijnë nga klubet e kampionatit shqiptar, ndërsa lojtarët e tjerë aktivizohen në kampionatet jashtë vendit.
Të dy takimet miqësore do të zhvillohen në stadiumin e Vorës. Kuqezinjtë do të luajnë takimin e parë më 15-nëntor, në orën 14:00. Ndërkohë që, më 18-nëntor, Shpresat do të zhvillojnë edhe ndeshjen e dytë po në orën 14:00.