Vllaznia po vijon përgatitjet intensvie ku kanë mbetur vetëm 2 javë nga nisja e sezonit të ri. Ku edicioni 2024-25 i Superiores do marrë jetë në javën e tretë të muajit gusht. Kështu përveç stërvitjeve të përditshme, shkodranët po zhvillojnë edhe ndeshje miqësore. E fundit ishte ditën e shtunë kundër Teutës, takim që përfundoi me rezultatin 3-3.
Përveç rezultatit që lihet zakonisht në planin e dytë në miqësore ishte loja e kuqebluve që ra në sy. Ekipi i Brdaric u duk me një ritëm tjetër dhe goxha të lartë, ndryshe nga miqësorja e zhvilluar kundër Burrelit. Por përpos kësaj, ajo që gëzon stafin është kompletimi thuajse total i skuadrës. Të gjithë lojtarët që kanë pasur probleme, duket se i kanë lënë pas.
Në miqësoren kundër Burrelit u kthye në fushën e lojës pas thuajse një viti mungesë, Flori Spahija. Mbrojtësi i majtë tashmë po fiton ritmin dalëngadalë dhe mund të jetë një opsion edhe si titullar i skuadrës në javët e ardhshme. Një tjetër i kthyer në miqësoren ndaj Teutës, ku edhe shënoi gol ishte edhe Ildi Gruda. Me sulmuesin i cili vuante një shqetësim që nga fundi i sezonit të shkuar.
Ku tashmë çdo gjë duket se i përket së shkuarës. I vetmi i munguar është Melos Bajrami, me mbrojtësin kosovar që vuan një dëmtim që para ndeshjes së kthimit ndaj Valur. Ku edhe për të pritet kthimi në javët e para të sezonit të ri. Patjetër kjo situatë gëzon stafin teknik që ka opsione të shumta për të zgjedhur përsa i takon formacionit dhe futbollistëve.
Endri ÇINARI