Tekniku i Mançester Sitit, Pep Guardiola është rikthyer të flasë për çështjen e transferimit të talentit Frenki De Jong nga Ajaks tek Barcelona. Klubi ishullor që drejton 48-vjeçari ishte një nga skuadrat më të interesuara për të transferuar mesfushorin holandez por që në fund ishte klubi katalanas që mbylli me sukses tratativën për shumën e 75 milionë eurove.
“Nuk jam i zhgënjyer me të, por është thuajse e pamundur për të rivalizuar me Barcelonën apo Real Madrid për prestigjin që ato klube kanë, për ligën në të cilën luajnë dhe sepse janë klube të mrekullueshëm.
Futbollistët duhet të kenë lirinë e zgjedhjes, nëse nuk vijnë, kjo është sepse preferojnë një klub tjetër dhe duhen respektuar. Duhet të jemi më të shpejtë dhe të gatshëm për të transferuar talentet e reja”
Guardiola pranoi gjithashtu se klubi ka një strategji për sa i përket pagave në klub në mënyrë që të mos prishë harmoninë e grupit. “Mundohemi të ruajmë harmoninë në dhomat e zhveshjes për sa i përket çështjes së pagesave pasi në momentin që ekuilibrat nuk ekzistojnë mund të kemi probleme të brendshme në grupin e lojtarëve”, u shpreh ai.
Aktualisht Siti i Pep Guardiolës është i pozicionuar në vendin e dytë në premier ligën angleze 4 pikë larg kryesuesve të Liverpul ndërkohë që konsiderohet dhe një nga ekipet favorite në këtë sezon të Ligës së Kampionëve. /VipSport/