Pep Guardiola (Santpedor, 53 vjeç) është gjithnjë e më afër Sir Alex Ferguson (Glasgow, 82 vjeç). Fitorja e “Community Shield” në derbin ndaj Manchester United e lë trajnerin spanjoll në prag të mitit. Ky ishte titulli i tij i 40-të në stol (39+1), që kur Guardiola e konsideron gjithmonë titullin kampion të Kategorisë së Tretë me Barça B në sezonin 2007-2008 si triumfin e parë profesional si trajner. Pjesa tjetër, që atëherë deri më sot është legjendë.

Me pushtimin e tij të tretë të Superkupës së Anglisë, Guardiola ka arritur 18 tituj me “qytetarët”, që kur mori frenat e Manchester City në vitin 2016. Pavarësisht se e mbylli bosh fushatën e tij të parë, mankunianët janë shfaqur si fuqia kryesore në futbollin anglez, me spanjollin në stolin e “Etihad”.

Ishte e vështirë për të që ta përkthente epërsinë në Angli edhe në nivel ndërkombëtar, por Liga e Kampionëve e vitit 2023 e bëri atë një legjendë në klubin e Manchesterit. Kjo ishte Liga e tij e parë e Kampionëve në stolin e Manchester City. Tashmë “qytetarët” janë rivali për t’u mposhtur, ndonëse ata duken të pamposhtur.

Guardiola shtoi një trofe të ri në palmaresin e tij me “Community Shield”. Titulli i gjashtë i Premier League, që ai arriti sezonin e kaluar, e barazoi me dy figura historike: George Ramsay në krye të Aston Villa, midis shekujve 19 dhe 20, dhe Bob Paisley me Liverpool-in, midis viteve 1976 dhe 1983.

Tashmë duke arritur në 40 tituj si trajner (mes Barcelonës, Bayern Munich dhe Manchester City), është kurorëzuar si legjendë totale. Vetëm Sir Alex Ferguson, i cili fitoi 13 Premier League me Manchester United, ka më shumë tituj në historinë e futbollit se Guardiola.

Shpërndarja e trofeve të fituar nga Guardiola është si më poshtë:

15 me Barcelonën

7 me Bayern Munich

18 me Manchester City

Me triumfin në finale ndaj Manchester United, spanjolli ka arritur të fitojë 25 finale dhe ka humbur vetëm 9 prej tyre. Që do të thotë 64% fitore në finale. Bilanci me Barcelonën, për sa iu përket finaleve, ishte: 11 finale, 10 fitore dhe 1 humbje.

Me Bayernin, trajneri Guardiola kishte më shumë probleme, pasi arriti të fitonte 4 dhe të humbiste 3 finale. Ndërsa me Manchester City, bilanci është gjithashtu shumë i favorshëm: 11 finale fitimtare dhe 5 humbje (më e dhimbshmja ishte finalja e Champions League 2021 kundër Chelsea së Thomas Tuchel) .

Pas Sir Alex Ferguson dhe Guardiolës, tashmë është shumë mbrapa Mircea Lucescu, trajneri legjendar rumun, i cili sapo është emëruar trajneri i ri i kombëtares rumune, me 35 trofe; Valeri Lobanovski, trajneri sovjetik, i vdekur në vitin 2002, i cili fitoi 30 tituj. Në pozitën e pestë është Carlo Ancelotti, i cili mund të bëjë një kapërcim të madh në renditje, nëse arrin 7 trofe këtë sezon me Real Madridin./telesport/