Pep Guardiola i kundërpërgjigjet Fabio Capello-s, i cili ditët e fundit e ka sulmuar ashpër, duke e etiketuar si mendjemadh dhe duke pretenduar se me filozofinë e tij të lojës e kishte shkatërruar futbollin. “Dëgjoj gjithçka që njerëzit thonë për mua. Prandaj kini kujdes! Unë kontrolloj gjithçka – tha trajneri i Manchester Cityt në konferencën për shtyp – Nuk është hera e parë që Fabio Capello e thotë këtë. Nuk jam mjaftueshëm i zoti për të shkatërruar futbollin italian… Është shumë më i rëndësishëm se ajo që bëjmë ne”.
Capello dha një intervistë për El Mundo spanjolle e cila menjëherë bëri xhiron e botës për fjalët e tij kundër Guardiolës dhe mënyrën e të kuptuarit të futbollit. “Nuk e kam problem të them se ai bëri gjëra të mrekullueshme, me Barcelonën ishte revolucioni i tretë në futboll pas Ajax-it të Cruijff dhe Milanit të Sacchi-t. Por nuk më pëlqen një gjë tek ai: arroganca e tij. Si te Manchester City, ashtu edhe me Bayern ai ndryshoi diçka në ndeshjet kyçe, për të qenë në gjendje të thotë: ‘Unë fitoj, jo lojtarët ‘. Kjo arrogancë i kushtoi atij disa Champions League”.
Në vitin 2023, kur e fitoi me Cityn, ishte i vetmi në të cilin nuk bëri asgjë të çuditshme në ndeshjet vendimtare – fjalët e ish-trajnerit të Milanit dhe të kombëtares angleze – Nuk është drejtpërdrejt faji i tij, por ai i shkaktoi dëme të mëdha futbollit sepse të gjithë kaluan dhjetë vjet duke u përpjekur ta imitonin”.
“Kjo ide e lojës shkatërroi futbollin italian, të gjithë menduan se kjo ishte e vetmja mënyrë për të luajtur mirë. Të gjitha pasimet horizontale, një mërzi e tillë që ka larguar shumë tifozë nga futbolli, të cilët tani shikojnë momentet kryesore: pse të shikoni 90 minuta pasime horizontale? Fatmirësisht tani futbolli po ndryshon, edhe Spanja i ndryshoi gjërat duke fituar kampionatin e fundit evropian duke luajtur me më shumë shpejtësi”.