Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola u ka dhënë fund thashethemeve për të ardhmen e Kevin De Bruyne, ndërsa ka deklaruar se belgu nuk ka për t’u larguar në drejtim të Arabisë Saudite.
Në një prononcim të bërë së fundmi për mediet, kreu i stolit të “Citizens” theksoi se De Bruyne do të qëndrojë te ta edhe sezonin e ardhshëm.
“Kevin nuk do të largohet. Nëse dikush dëshiron të largohet, ne do të flasim për këtë dhe natyrisht, deri në ditën e fundit të merkatos do të kemi mundësi të vendosim. Nuk e përjashtoj ardhjen e lojtarëve të rinj, por mendoj se në 85, 90 ose 95% të rasteve do të kemi të njëjtin ekip vitin e ardhshëm”-deklaroi Guardiola.
De Bruyne ishte diskutuar shumë së fundmi për një largim drejt kampionatit saudite te Al-Ittihad, megjithatë duket se belgu do të jetë pjesë e City të paktën deri kur të përfundojë kontrata, në verën e 2025-ës.