Ditët e fundit në Itali ka qarkulluar çuditshëm lajmi se Pep Guardiola ka arritur marrëveshjen me Juventusin dhe pak nga pak në internet është krijuar një ortek absurd, sepse asnjë nga mediat e mëdha italiane nuk ka konfirmuar ndonjë marrëveshje, apo qoftë edhe bisedime mes trajnerit spanjoll dhe kampionëve të Italisë.
Sot, në një intervistë për Sky Sport, avokati Alberto Galassi, anëtar i Këshillit Administrativ të Manchester Cityt, ka përgënjeshtruar kategorikisht largimin e Guardiolës nga City.
“Pep është trajneri ynë dhe nuk dëshiron të largohet nga Manchester City. Kam mbetur i habitur kur kam parë që një agjenci lajmesh (AGI) raporton një idiotësi të tillë, kaq të madhe.
“Së pari, Pep dëshiron të qëndrojë dhe ka edhe 2 vite kontratë. Së dyti, një klub i madh si Juventusi nuk do lejonte kurrë që lajmi të dilte në këtë mënyrë. Së pari do kishin folur me ne, nuk është e mundur që të planifikohet prezantimi i trajnerit pa dijeninë tonë.
“Është një lajm absurd, pa asnjë bazë logjike, jemi në kufijtë e qesharakes dhe më vjen keq për tifozët e Juves, sepse krijojnë shpresa të kota. Ta lemë të qetë Guardiolën, t’i shijojë pushimet”.