Manchester City, kampion i Premier League-s në katër edicionet e fundit, është zhytur në një krizë të thellë rezultatesh: ka fituar vetëm një ndeshje në 12 takimet e fundit.

Trajneri Pep Guardiola e ka hequr fajin e një sezoni të dobët nga supet e Erling Haaland-it. Pas ndeshjes me Aston Villën (0-2), të dielën, sulmuesi norvegjez shpërtheu, duke thënë se nuk ka qenë ‘mjaftueshëm i mirë’ këtë sezon.

“Nuk është vetëm një lojtar, në të kaluarën Haaland na ka ndihmuar shumë. Faji është i të gjithëve, ishte e lehtë t’ia veshësh fajin një lojtari, por nuk është kështu. Haaland është shumë i rëndësishëm për ne, por, në këto momente, ka një tendencë për të fajësuar këtë apo atë lojtar.

Ata po bëjnë më shumë se kurrë, por ka shumë detaje të vogla (apo të mëdha) që kanë bërë që ne të mos jemi aq të mirë sa kemi qenë. Kemi një mundësi tjetër për ta ndryshuar situatën në Boxing Day”, tha trajneri katalan në një prononcim për përballjen me Evertonin, më 26 dhjetor.