Ditët e fundit në Angli është krijuar një rrëmujë e madhe në opinionin sportiv për shkak të atij gjesti nga Granit Xhaka. Mesfushori i Arsenalit në momentin kur u zëvendësua u kontestua nga tifozët e tij, megjithatë Xhaka iu kundërpërgjigj, ndërsa kamera e fokusoi teksa i drejtohej tifozerisë së topçinjve me fjalë të pahijshme.

Kështu, rasti i tij mori përmasa të mëdha, ndërsa pas asaj ndeshje, tekniku Emeri nuk e ka grumbulluar në dy takimet e radhës. Ndërkohë, një çështje më vete është edhe shiriti i kapitenit, pasi ende nuk dihet nëse Xhaka do të vazhdojë të jetë kapiteni i londinezëve.

Sakaq, përveç shumë emrave të legjendave dhe ish-futbollistëve të cilët kanë dhënë mendimin e tyre në këtë situatë, i fundit që është përfshirë është Pep Guardiola. Trajneri i Mançester Sitit i ka dalë në mbrojtje mesfushorit, ndërsa ka theksuar se përderisa ai është kapiteni do të thotë se ka diçka speciale.

“ Duhet t’i respektojmë mbështetësit, por nuk është e lehtë për lojtarët ndonjëherë, për të gjithë ne. Mund ta kuptoj Xhakën, emocionin e momentit. Mbase nuk jam i duhuri për të folur pasi edhe unë nuk i kontrolloj ndonjëherë emocionet.

Jam i sigurt se të gjithë lojtarët, Xhaka përfshirë, bëjnë maksimumin për Arsenalin. Ai është kapiteni dhe kjo sepse ka diçka speciale tek ai në dhomat e zhveshjes.

Ndonjëherë e humbet kontrollin. Do të harrohet dhe do të ecet përpara. Shpresoj në të ardhmen, fansat ta falin Xhakën dhe kështu ai mund të kthehet dhe të tregojë sa lojtar i mrekullueshëm është”, u shpreh Guardiola./VipSport/