Manchester City ka arritur shumë më tepër se të bërit klubi i parë në një dekadë, që e mbron kurorën e titullit në Premier League. Te besuarit e Pep Guardiolës morën pikët maksimale në 14 ndeshjet e fundit, për ta mbajtur Liverpool-in me një pikë të vetme pas vetes në finishin e garës.  “Qytetarët” ishin dhjetë pikë prapa “Reds” më 29 dhjetor, duke e pasur tepër të vështirë betejën për ta mbrojtur titullin. Paraqitja në vazhdim e Manchester City ka qenë e jashtëzakonshme.

Guardiola, personalisht, fitoi titullin e tij të tetë në dhjetë vite, si trajner. Ai fitoi tri kampionate me Barcelonën, tre me Bayern Munich dhe dy me Manchester City, por spanjolli mendon se ky i fundit ishte më i vështiri: “Pas 100 pikëve, që morëm si kampionë të sezonit të kaluar, pas zhvillimit të Kampionatit Botëror, ku kishim mjaft lojtarë të angazhuar, ishim të shqetësuar. Sidoqoftë, të gjithë shtrënguam radhët, stafi i pati gjëra nën kontroll gjithë kohës. 

Kjo është e vetmja mënyrë për të fituar “Community Shield”, “Carabao Cup”, Premier League, si dhe për të mbërritur në finalen e “FA Cup” dhe në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve. Është kampionati më i vështirë, që kam fituar. Unë kam fituar tituj edhe në Spanjë e Gjermani, por ky ishte më i vështiri, duke pasur parasysh rivalitetin që kemi përballur gjatë gjithë sezonit. Ky ishte titulli më i vështirë, referuar cilësisë së Liverpool-it. Vjet e mbyllëm kampionatin me 100 pikë, kësaj here me 98 pikë”.

Duke e kthyer prapa në karrierën e Guardiolës si trajner, konstatohet lehtë qëndrimi në majë. Që kur bëri debutimin e tij në këtë rol, në vitin 2008, 48-vjeçari kurrë nuk e ka mbyllur jashtë tre vendeve të para, në secilin kampionat respektiv, dhe ka grumbulluar një sasi mahnitëse pikësh. Rekordi i Guardiolës si trajner në këtë drejtim është 906 pikë.

E thënë ndryshe, ka marrë 82 për qind të pikëve të mundshme (1.104) te Barcelona, Bayern Munich dhe Manchester City. Sezoni i kaluar ishte rekordi i tij më i mirë, me Manchester City që fitoi 100 pikë nga 114 të mundshme. Kjo kuotë është 22 pikë më shumë se sezonin e tij të parë në “Etihad”, e cila është gjithashtu më e keqja e tij si trajner.

Shikoni sezon pas sezoni ecurinë e Guardiolës si trajner:

Nuk është çudi që Guardiola ende konsiderohet gjerësisht trajneri më i mirë në futbollin botëror dhe ndoshta edhe më i miri ndonjëherë. Kjo, sikurse tha vetë, nuk jep garanci se suksesi i tij do të vazhdojë, sidomos nëse parashikimet për sezonin e ardhshëm të Premier League do të përmbushen:

“Liverpool do ta ruajë ekipin që ka, të tjerët do të jenë më mirë. Manchester United duhet të kthehet, Chelsea nën drejtimin e Sarrit do të jetë më mirë, Tottenham është në finale të Ligës së Kampionëve. Edhe Arsenali do të jetë më mirë. Ne e pranojmë sfidën dhe sezonin e ardhshëm do të jemi më të fortë, ju premtoj”./telesport/