Laçi e mbylli vitin 2022 me një humbje në Kukës, që ishte e para për trajnerin Gentjan Mezani, që pas ardhjes në krye të skuadrës kurbinase.

Pas dy fitoreve me shifrat 1-0 ndaj Bylisit dhe Erzenit, bardhezinjtë kërkuan një tjetër sukses në Kukës, por gjërat nuk shkuan sipas planeve.

Goli i anuluar i Vasil Shkurtajt dhe më pas ndëshkimi që erdhi nga një goditjeje standarde, u shoqërua me një reagim jo të pritshëm nga skuadra, për të marrë të paktën një barazim në këtë takim të fundit.

Megjithatë, trajneri Mezani dhe presidenti Pashk Laska, në asistencën e menaxherëve që bashkëpunon klubi, janë duke studiuar disa mundësi për afrimin e të paktën 2-3 lojtarëve në merkaton e janarit.

Blerja më e madhe për Laçin mund të quhet rikthimi i sulmuesit Saliu Guindo, i cili e njeh mirë ambientin dhe jep shpresë për një efikasitet të madh në fazën ofensive.

Laçi është i blinduar në sulm, edhe për faktin se është kthyer në formën më të mirë Shkurtaj, i cili me eksperiencën që ka mbetet një vlerë e shtruar për kurbinasit. Klubi po punon që të bëjë afrime në mbrojtje, veçanërisht në qendër, atje ku alternativat janë të pakta për një sezon të gjatë.