Sulmuesi shkodran Sindrit Guri vazhdon të paraqitet shumë mirë me skuadrën e tij të re Ostende në Belgjikë. Ndodh kështu kur në fakt tek Kukësi e ndjejnë shumë mungesën e tij dhe kjo u konstatua edhe në ndeshjen që ky ekip zhvilloi pasditen e së mërkurës ndaj maltezëve të La Valetës.
24 vjeçari ka luajtur pikërisht dje miqësoren e tretë me ekipin e tij të ri ku përballë ka qenë Hapoel Haifa. Ndonëse nuk ka shënuar këtë herë, Guri ka qenë sërish protagonisti kryesor për Ostende.
Në pjesën e parë ka fituar një 11-metërsh për një pengim në zonë nga kundërshtari dhe këtë rradhë, atë e ka gjuajtur një shok i ekipit të tij që e ka shndërruar atë në gol.
Pak minuta më vonë, ai ka gjuajtur fort me të djathtën dhe topi është ndalur në shtyllë. Në pjesën e dytë, belgët kanë shënuar edhe një gol tjetër dhe kanë fituar me rezultatin 2-0 ndaj izraelitëve. Guri ka qenë në fushë për 70 minuta dhe fakti që trajneri e aktivizion gjithnjë si titullar, tregon për besimin e madh që ka ndaj tij.
Dhe sulmuesi i kombëtares shqiptare në fakt është duke ia shpërblyer me lojën dhe golat e shënuar deri më tani. E rëndësishme për të është që këtë formë ta tregojë edhe në ndeshjet e kampionatit dhe mundësitë për ta bërë një gjë të tillë i ka.
Ai ka fituar pjekurinë e duhur dhe këtë po e shfaq në të gjitha paraqitjet e tij të deritanishme. Kalimi nga Kukësi tek Ostende konsiderohet një hap shumë i rëndësishëm në karrierën e tij dhe vetë Guri kërkon ta shfrytëzojë në maksimum në mënyrë që shumë shpejt pse jo, të kalojë në një skuadër dhe në një kampionat më të fortë.