Vllaznia luan nesër një ndeshje shumë të vështirë ndaj Teutës, që do përcaktojë shumë përsa i përket kreut të tabelës dhe pretendentëve që do i shkojnë deri në javën e fundit titullit. Para kësaj sfide në konferencë për mediet foli senatori i shkodranëve, Erdenis Gurishta.
“Javët e fundit kemi luajtur mirë dhe kemi marrë rezultate, përveç ndeshjes së fundit, ku luajtëm mirë dhe humbëm. Nuk e merituam humbjen sepse erdhi si pasojë e një momenti pa përqendrimi në zonë. Tirana erdhi një herë në portë dhe shënoi, ne kishim disa raste dhe nuk ia arritëm. Kështu është futbolli.
Atë humbje e kemi lënë pas dhe përqendrohemi te ndeshja e nesërme. Kundra Teutës gjithmonë ka qenë e vështirë, por kemi treguar se dimë si ta mundim Teutën dhe kam besim se nesër ndeshja do flasë për ne. Ky kampionat deri në javën e fundit do shkojë kështu.
Nëse nesër ne fitojmë, do ngjitemi të dytët ose të parët dhe Teuta shkon e treta. Gabimet në mbrojtje? Duhet të jemi më të vëmendshëm në ato raste që na krijojnë. Nesër do jetë një ndeshje shumë e ndërlikuar. Jemi të qetë, nuk kemi fare presion, futemi në fushë për më të mirën.
Nuk mund të them se një rezultat negativ do na nxirrte jashtë garës, nuk i mendojmë këto skenare, përqendrohemi te ndeshja e nesërme. Le ta kalojmë me sukses më pas mendojmë për 5 ndeshjet e mbetura”, u shpreh Gurishta. /abcnews/