Ka qene nder protagonistet e kualifikimit te Vllaznise ne gjysmefinalen e Kupes, duke qene protagonist tek goli i dyte i saj dhe njekohesisht ka qene edhe futbollisti i pare qe mori persiper gjuajtjet e 11-metershave dhe u tregua i sakte duke e mundur Abaloren. Erdenis Gurishta ne nje prononcim te dhene per mediat e ka pranuar se ishin pergatitur per nje sfide te veshtire ndaj Elbasanit.

Ndër të tjera ai thekson forcën e karakterit të ekipit shkodran e që skuadra do luftojë fort në të dyja frontet. Po ashtu, 29-vjeçari ka edhe një dedikim të veçantë për golin e ndërsa thekson se edhe në ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Laçit, skuadra kuqeblu shkon me synimin për fitore.

Gurishta, një kualifikim i vuajtur kundër Elbasanit apo jo?

Ne e kishim parashikuar një ndeshje të vështirë dhe shumë të fortë. Kjo sepse Elbasani luante ndoshta shanset e fundit për të kapur Europën nëpërmjet Kupës. E gjithashtu, pavarësisht se kanë pasur ulje dhe ngritje në kampionat, ata janë një ekip me cilësi dhe që të vënë në vështirësi. Besoj se ky kualifikim tregon forcë dhe karakter për ne, sepse në këtë ndeshje u përballëm me situata të ndryshme që i përballuam me sukses në fund.

Ndonjë dedikim për golin?

Ka disa javë që nusja më thotë duke qeshur: “Kur do shënosh gol për vajzën tone?”. E unë, duke qeshur, i thosha se do shënoja në momentin më të rëndësishëm, në “Final 4”. Kështu që këtë gol ia dedikoj vajzës sime 4 muajshe dhe besoj se nuk do jetë goli i fundit për këtë sezon.

Do të shkojë kjo skuadër deri në fund për të dyja kompeticionet?

Fillimisht, i rëndësishëm ishte kualifikimi në gjysmëfinale e tani presim të qetë shortin e Kupës. Patjetër ky sukses na jep një shtysë pozitive edhe në kampionat ku duam të jemi në ekipet e kreut. Shpresoj të vijojmë në këtë rrugë, me rezultatet positive, sepse ekipi i ka mundësitë për të përballuar të dyja kompeticionet deri në fund.