Vllaznia duket se nuk do ta disku tojë rikthimin në Superiore. Tashmë, diferenca +7 pikë me vendin e dytë në Kategorinë e Parë që është Erzeni, sjell edhe një herë qetësinë në skuadër. Ndërsa për mbrojtësin e kuqebluve Erdenis Gurishta dhe pjesën tjetër të lojtarëve është një shtysë më shumë që skuadra të shkojë drejt rezultateve pozitive.
Mbrojtësi Gurishta shprehet se ekipi është në rrugë të mbarë drejt daljes në elitë dhe se për të gjithë ky është një detyrim që do të arrihet me çdo kusht. Sipas Gurishtës, të gjithë lojtarët dhe stafi teknik bashkë me drejtuesit janë të vendosur për të siguruar daljen e Vllaznisë në Superiore dhe ringritjen e kësaj skuadre aty ku e meriton.
GURISHTA – “Besoj se Vllaznia është në rrugën e duhur. Javët e fundit humbja me Erzenin apo Kamzën në Kupë nuk duhej të ndodhte, por ne shumë shpejt arritëm që të dalim nga ajo situatë dhe të vijojmë drejt objektivit tonë. Them se jemi në rrugë të mbarë. Tashmë jemi sërish +7 pikë larg Erzenit dhe këtë diferencë ne do të synojmë që ta thellojmë edhe më shumë. Besoj se Vllaznia e ka treguar që e meriton daljen në elitë me ndeshjet e zhvilluara.
Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në vazhdimësi. Natyrshëm që do t’i shohim të gjitha ndeshjet me radhë dhe do të përpiqemi të arrijmë rezultate pozitive në mënyrë që të mos vëmë asgjë në diskutim. Them se është një detyrim i yni për ta nxjerrë edhe një herë skuadrën në Superiore, aty ku realisht e ka vendin, ndaj do japim maksimumin për të arritur këtë synim që kemi që në fillim të sezonit.
Unë them se Vllaznia nuk do ta diskutojë ngjitjen. Të gjithë lojtarët, stafi teknik bashkë me stafin drejtues po bëjnë maksimumin që Vllaznia të dalë në Superiore dhe të përmbushë objektivin”, thotë fillimisht mbrojtësi.
RIVALËT – Megjithatë, mbrojtësi Gurishta shprehet se Vllaznia nuk duhet të nënvlerësojë asnjë prej kundërshtarëve në ndeshjet e ardhshme dhe t’i kushtojë kujdesin e duhur çdo skuadre. “Ne do të vazhdojmë që të bëjmë punën tonë. Diferenca me +7 pikë nuk do të thotë se ne duhet të jemi në gjumë.
Përkundrazi, kjo na shton oreksin për ndeshjet e ardhshme që do kemi. Patjetër që asnjë takim nuk është i lehtë dhe nuk na lejohet asnjë lloj nënvlerësimi për kundërshtarët tanë. Sigurisht, do të kemi kujdesin maksimal ndaj të gjitha ekipeve me qëllimin e vetëm për të arritur vetëm fitore.
Është e kuptueshme që euforia është e dëmshme për të gjithë, ndaj duhet ta shmangim sa më shumë për të arritur objektivin që kemi për të dalë në Superiore”. Gurishta është futbollisti që ka luajtur në të gjitha ndeshjet e deritanishme të këtij sezoni në Kupë dhe kampionat.
Mbrojtësi shkodran thotë se do të vijojë të jetë në shërbim të skuadrës duke dhënë më të mirën e tij për Vllazninë, ndërsa falënderon stafin teknik për besimin që i kanë dhënë.