Ecuria pozitive e Vllaznisë në ndeshjet e fundit patjetër ka kënaqur këdo në Shkodër. Por, nga skuadra kërkohet akoma më tepër për të mbajtur ritmin dhe vendin e parë. Për këtë ka folur edhe Erdenis Gurishta në intervistë për “Panorama Sport”.
Mbrojtësi thekson se ka ende punë për t’u bërë e ndërsa ndalet edhe te performanca e tij personale dhe dueli më i rëndësishëm këtë fundjavë në Superiore, ai kundër Egnatias.
Një krahasim nga ana juaj, meqë keni qenë pjesë e dy periudhave të Brdariç. Ka ndryshuar diçka apo jo?
Ndryshimi i vetëm është që herën e parë kur ishte Brdariç, ekipi u ndërtua vetëm pak javë para fillimit të kampionatit. Dhe kundërshtarët nuk na vlerësuan si duhet dhe ne përfituam nga ajo gjë. Ndërsa tani na e dinë forcën që kemi dhe sigurisht kundërshtarët i marrin masat. Pasi nuk është aspak e lehtë të luash ndaj një ekipi si Vllaznia.
Ndeshja e radhës me Egnatian. Sa vlen dhe si shkon Vllaznia drejt këtij takimi?
Kemi qetësinë e duhur para këtij dueli. Jemi në një moment shumë pozitiv dhe duhet ta shfrytëzojmë që ta përgatisim sa më mirë ndeshjen me Egnatian. E dimë vështirësinë e këtij takimi, por kjo na motivon që të kthehemi me një rezultat pozitiv nga kjo transfertë.