Rezultati 0-0 në Elbasan është i kënaqshëm për shkodranët, duke qenë se kualifikimin do ta diskutojnë në sfidën e kthimit në shtëpinë e tyre, në “Loro Boriçi”. Mbrojtësi Erdenis Gurishta, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes ka pohuar se skuadra u tregua e kujdesshme, duke ditur specifikën e Kupës.
Barazimi, sipas tij, është një rezultat që i kënaq kuqeblutë. “Duke pasur parasysh se kualifikimi në Kupë është me dy takime dhe sfidën e parë e kishim në Elbasan, e kishim përgatitur këtë sfidë që të ishim të kujdesshëm. Nuk donim ta humbnim ndeshjen e parë, sepse në Shkodër do të jetë ndryshe, jemi me tifozët dhe do të tentojmë ta fitojmë dhe të kualifikohemi.
Nuk donim të rrezikonim dhe si ndeshje e parë mund të them se jemi të kënaqur, duke llogaritur se para tri ditësh kishim ndeshje në kampionat dhe më pas kemi një tjetër. Na duhej të ruanim pak forcat”, u shpreh fillimisht mbrojtësi shkodran.
KUALIFIKIMI – Sa u përket shanseve për kualifikim, ai shprehet se Vllaznia ka më shumë mundësi të kalojë pas këtij rezultati. “Shanset për kualifikim janë më të mëdha, sepse e thashë që luajmë në Shkodër, me entuziazëm dhe tifozë. Megjithatë, çdo gjë është e hapur, është një ndeshje dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Para kupës kemi ndeshje të kampionatit dhe duhet t’i marrim me radhë”, vijoi më tej Gurishta. Mbrojtësi u ndal edhe te sfida e kampionatit me Bylisin:
“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, sepse vijmë pas disa rezultatesh pozitive, pavarësisht se para dy javësh morëm një humbje në Shkodër. E dimë forcën e ekipit dhe me Bylisin do të fitojmë që të rrisim performancën tonë dhe të jemi në krye të tabelës”, e mbylli prononcimin e tij për gazetën mbrojtësi i Vllaznisë.