Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta ka folur për mediet në prag të ndeshjes me Tiranën. Kryesuesit luajnë në “Selman Stërmasi” nesër në 13:45 me kampionët në fuqi të vendit, teksa numri 2 i kuqebluve e ka quajtur si ndeshjen e radhës, paçka rivalitetit historik.

“Për ne është ndeshja e radhës. Ashtu siç ishin tri pikë të vlefshme me Skënderbeun, mendoj se nuk duhet ta mbivlerësojmë Tiranën apo ta marrim këtë si një ndeshje tjetër, është ndeshja e radhës e kampionatit dhe ta vlerësojmë për aq sa ka merita në këtë momente ekipi I Tiranës.

Emocione? Kjo ndeshje dihet sa vlen dhe emocionet të bëjnë mirë në futboll. Të shkojmë të tregojmë se nuk jemi rastësisht në krye, në futboll ka tre rezultate. Ai që e meriton në fushë, ai ka për të fituar.

Gjashtë pikë diferencë nuk janë shumë. Jemi vetëm në javën e 12 dhe jemi në rrugën e duhur. Gjithkush ka të drejtë të mendojë titullin kampion, të jem realistë edhe ne e mendojmë.

Kemi luajtur me të gjitha skuadrat dhe e dimë se çfarë force kanë. Tifozët e presin titullin kampion, nuk kemi objektiv titullin dhe skuadra nuk duhet futur në këtë presion. Kemi objektiv kupat e Europës, por pse jo kampion nëse vijojmë me këtë rritëm”, tha kapiteni Gurishta.