Erdenis Gurishta, kapiten i Vllaznisë ka qenë ditënne sotme në konferencë për shtyp ku ka folur për ndeshjen e nesërme ndaj Kastriotit. Mbrojtës ka folur hapur duke theksuar se rivalët e tyre për titull kanë përdorur edhe aleancat e në këtë formë e kanë pasur rrugën autostradë.
“Nuk ka ndeshje të lehta, Kastrioti është një ekip për t’u vlerësuar. Është një ekip agresiv, sidomos në fushën e vetë. Për ne nesër është një ndeshje finale. E konsiderojmë finale, sepse na duhet me doemos 3 pikët. Besoj se do të jetë një ndeshje e luftuar, sepse dhe Kastriotit i nevojiten pikë, por ne na nevojiten më shumë se ata. Një ndeshje që duhet ta fitojmë me çdo kusht.
Objektivi i Vllaznisë në këtë ndeshje do të jetë vetëm fitorja. Situata nuk është e komplikuar, është në dorën tonë. Kemi 2 ndeshje brenda një ndeshje jashtë. Po të bëjmë detyrat dhe të marrim pikët e duhura, çdo gjë do të jetë në rregull.
Janë bërë shumë gabime rrugës, po të flas realitetin, kemi zhvilluar një sezon shumë të mirë. Po ta shikojmë drejtë, ne kemi bërë luftë me të gjitha ekipet, ndërsa disa e kanë pasur autostradë. Ne nuk kemi pasur asnjë aleancë. Gjithsesi nuk është justifikim ky dhe nuk duhet të merremi me ekipet e tjera. Ne shikojmë punë tonë. Për deri sa matematika na mban në luftë për titullin, pse mos shpresojmë, por gjithsesi, objektivi jonë është që të jemi në 3 ekipet e para. Besoj që objektivi i Vllaznisë është drejt realizimit.
Kush e ka pasur autostradë? Shikohen qartë ndeshjet e Vllaznisë dhe të ekipeve të tjera. Ne të gjitha ndeshjet i kemi luftë, ndërsa ekipet e tjera shpeshherë nuk i bëjnë kështu.
Po t’i shikosh ndeshjet e Vllaznisë, pothuajse çdo ndeshje është me 6-7 kartona, ndërsa ekipet e tjera nuk kanë asnjë karton, ka shumë “Fair-Play”.
Nuk ka asnjë sparkatë, nuk ka asnjë vonesë loje. Kur luajnë kundër Vllaznisë luftojnë për jetë a vdekje, si të jetë ndeshja e fundit. Ashtu do të jetë edhe nesër.
Po të jemi realist, Kastrioti ndeshjen e fundit që ka zhvilluar në Shkodër, ka treguar që është një ekip jo “Fair-Play”, loja ka qenë me vonesa të shumta. Gjithsesi ne ia kthyem reston në Kamzë. Ajo humbje iu djeg shumë, por nesër është një ndeshje tjetër dhe besoj do të marrim maksimumin”, u shpreh Gurishta. /VipSport/