Ka qenë ndër futbollistët më stabël të Vllaznisë së këtij sezoni dhe përpos kësaj është aktivizuar në disa pozicione në fushë. Erdenis Gurishta megjithatë nuk ndjehet mirë nga gjendja që po kalon aktualisht skuadra e këtë e shpreh edhe në një prononcim të dhënë për “RTSH Sport”:

“Realisht po kalojmë një moment të keq sepse mesa duket karantina na ka shërbyer për keq sepse jemi i vetmi ekip që me përgatitje fizike jemi prapa. Ka ndodhur kështu sepse Vllaznia ka qenë me shumë mundësi ekipi i vetëm që ka respektuar rregullat e institucioneve shtetërore gjatë periudhës së pandemisë.

Megjithatë ky nuk është justifikim. Po kalojmë një moment krize, por s’duhet t’i humbim shpresat. Janë edhe 5 ndeshje për t’u luajtur, janë 15 pikë në lojë dhe për rrjedhojë duhet të jenë 5 finale për Vllazninë dhe besoj se çdo gjë është e arritshme”.

I pyetur ndërkohë për rritjen e ngarkesave stërvitore nga ana e trajnerit Dedja gjatë këtyre ditëve, Gurishta shprehet: “Këtë javë kemi filluar ngarkesat me nga dy seanca stërvitore. Trajneri e ka parë të arsyeshme të veprojë kështu sepse siç e thashë, jemi mbrapa me përgatitjen fizike. Deri tani gjërat kanë shkuar mirë dhe shpresoj që të ndodhë kështu edhe në vijim në mënyrë që të mos kemi dëmtime”.

A duhet të shpresojë ende Vllaznia për largim nga vendi i tetë dhe nga zona play-out, apo duhet t’i bëjë llogaritë për ndeshjen shtesë të kampionatit? Numri 2 i kësaj skuadre thotë se ka ende shpresë për të menduar që zgjidhja të gjendet pa mbaruar ende kampionati.

“Realisht kemi gabuar shumë dhe sidomos në dy ndeshjet e fundit që kishim në Shkodër me Bylis dhe me Teutën dhe kjo ka bërë që të gjithë të mendojnë play out-in, por unë mendoj se ka akoma shpresë. 4 pikët e diferencës që kemi me ballshiotët nuk janë pak, por nuk janë as shumë. Ne duhet të bëjmë punën tonë, të mendojmë për të marrë pikët e plota, e nëse edhe Bylis nuk gabon, atëherë të mendojmë për play out-in”- ka deklaruar Erdenis Gurishta.
www.shkodrasport.com