Protagonisti i fitores së fundit me Tiranën, me atë gol të shënuar në minutat e fundit të ndeshjes, pret të jetë në fushë këtë javë si titullar ndaj Kukësit. E kemi fjalën për mbrojtësin Erdenis Gurishta. Dëmtimi i Krymit dhe dyshimi nëse do jetë në gjendje të luajë apo jo, ka bërë që trajneri Cungu të mendojnë për zëvendësimin e tij me mbrojtësin 21 vjeçar që shënoi golin e fitores pak ditë më parë në takimin ndaj bardhebluve. Vetë lojtari është mëse i kënaqur për këtë moment dhe deklaron: “Kuptohet që gëzimi ishte i madh për atë gol që shënova sepse ishte i pari i imi në një ndeshje kampionati me Vllazninë dhe për më tepër, i dha fitoren skuadrës time. Unë shpresoj të jap maksimumin tim sa herë që të më jepet mundësia për të qenë në fushë”. Ndërkohë, i pyetur në lidhje me takimin e rradhës, atë ndaj kukësianëve, Gurishta do të shtonte: “Në bazë të statistikave, Kukësi ende nuk ka humbur asnjë ndeshje këtë kampionat. Pse jo, të mos jetë Vllaznia ajo që do t’ia rregjistrojë këtë humbje të parë. Mundësitë i kemi dhe këtë do të kërkojmë ta demostrojmë në fushën e lojës”. Shkodranët pikërisht këtë gjë kanë avantazh: lojtarët e rinj të talentuar. Njëherë është Hebaj që shënon dhe i shpëton, njëherë tjetër Pjeshka, këtë herë Gurishta. Në Kukës mund të jetë ndonjë tjetër. Vllaznia e elementit të ri vazhdon të spikasë dhe me siguri që në këto javë të fundit të kampionatit, do të kemi më shumë prej tyre në fushë si titullarë.