Skënderbeu do të kërkojë maksimumin në ndeshjen e sotme ndaj Tiranës në kryeqytet. Të paktën kjo është ajo që ka theksuar trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç, në konferencën për shtyp të dhënë ditën e djeshme. Para mediave trajneri serb i korçarëve është shprehur i bindur te potenciali dhe kapaciteti i ekipit të tij edhe në kushtet kur përballë do të kenë një kundërshtar të mirëndërtuar siç është Tirana. Ndonëse Gvozdenoviç nuk siguroi për rezultatin maksimal, ai u shpreh qartësisht se do të jetë një Skënderbe që do të bëjë maksimumin për të marrë tri pikët në Tiranë.
Gvozdenoviç, ndeshja ndaj Tiranës a mund të konsiderohet momenti i së vërtetës për Skënderbeun?
Jam pjesërisht dakord me pyetjen tuaj. Skënderbeu e ka treguar potencialin e vet që nga fanella, të cilën e mban të veshur dhe nuk kemi pse të vërtetojmë asgjë. Jemi Skënderbeu dhe jemi gati për çdo ndeshje. Dy fitoret në kampionat nuk ishin aspak rastësi, kështu që jam i qetë për këtë pjesë. E përsëris jemi Skënderbeu dhe jemi gati për çdo ndeshje.
Çfarë doni të thoni jemi Skënderbeu dhe jemi gati?
Dua të them se jemi gati për t’u përballur me çdo kundërshtar. Ekipi është në gjendje të mirë dhe për fat i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion. Jemi të plotë dhe kemi mbyllur dje përgatitjet për Tiranën duke u munduar të bëjmë edhe rregullimet e nevojshme në çdo repart.
Si e shihni këtë përballje me Tiranën?
Ajo çka është e sigurt për ne mbetet fakti që do të bëjmë maksimumin e mundshëm në çdo moment dhe në çdo ndeshje, edhe përballë Tiranës. E di që Tirana është një ekip i investuar, por kjo nuk është se na shkakton frikë. E respektojmë, por do të provojmë shanset tona. Unë nuk mund të them se si del ndeshja, por do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mos pasur asnjë peng në fund të takimit.
Në një ndeshje kaq të fortë dhe delikate, do të kënaqeshit edhe me një pikë?
Ne kurrë nuk hyjmë në fushën e lojës për të marrë një pikë apo për të vendosur objektiva të tjerë veç fitores. Edhe ndaj Tiranës do të hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin me qëllimin e vetëm të marrim fitoren e radhës. Kjo është në mentalitetin tonë, në mentalitetin e Skënderbeut. Më pas se çfarë do të na rezervojë fusha mbetet për t’u parë dhe vlerësuar pas ndeshjes.
Luhet në “Selman Stërmasi”. Si do të jetë për ju?
Në fakt të luash në “Air Albania” është tjetër energji dhe tjetër emocion. Stadiumi të motivon dhe të jep krenari e forcë. Fusha atje është perfekte. Nuk e di në çfarë kushtesh është fusha në “Selman Stërmasi”. Por nuk besoj se do të ketë ndikim negativ vetëm te ne. Është diçka që do të jetë e njëjtë për të dyja ekipet.