Trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç, festoi sot ditën e lindjes, teksa skuadra e tij nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Elbasanit. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për mikrofonin e “RTSH Sport”, trajneri serb i skuadrës korçare ndër të tjera u shpreh.

“Pjesën e parë ishim mirë, shënuam shumë shpejt. Ishim shumë afër golit të dytë me Rashicën, Nikajn. Pjesën e dytë ishim mirë me topin e gjatë dhe topin e dytë. Goli erdhi nga 4 korne radhazi dhe topi i dytë. Ndoshta ndërrimet mund t’i bënim më shpejtë, Juri ishte i lodhur, mund ta ndërronim më shpejtë me Pecanin.

Kishim nevojë për mbajtjen e topit të Jurit. Goli erdhi pas një krosimi të bukur nga lojtarët e Elbasanit dhe ndeshja përfundoi 1-1.

E menduam që të kalonim në mbrojtje me 3. Elbasani është një skuadër e mirë. Por për mendimin tim, nuk ishte më mirë se Skënderbeu. Duhet të mendonim më shumë, si do ta mbanim rezultatin. Nuk e pashë Elbasanin dominues. Vetëm me top të gjatë na rrezikoi.

Jam i mërzitur me rezultatin, do qe dhuratë e mirë për ditëlindjen po të fitonim dhe ta nismin kampionatin me fitore. Sot ishim në presion për të fituar dhe për ta hapur kampionatin mirë. Te goli ishte një reagim natyral edhe nga mua edhe nga lojtarët”, u shpreh trajneri Gvozdenoviç.