Elbasani është gati për aktin e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Luan përsëri në stadiumin “Loro Boriçi”, ku pak ditë më parë barazoi 1-1 në kampionat.Në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës verdheblutë barazuan 0-0 dhe sot shkojnë në Shkodër për të bërë një hap të rëndësishëm përpara, të kualifikohen në gjysmëfinale.

Rezultati i ndeshjes së parë e lë gjithçka të hapur dhe shanset janë të barabarta, sikundër tregoi edhe sfida e së premtes së kaluar. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj ndeshjes me Vllazninë, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ka theksuar se ai dhe gjithë ekipi e dinë mirë rëndësinë e kësaj përballjeje. Serbi i stolit elbasanas pret një sfidë të luftuar në të gjitha aspektet, por është i bindur se Elbasani është gati për të kaluar më tej.

“Brenda pak ditësh luajmë dy herë ndaj Vllaznisë. Në sfidën e kampionatit morëm një pikë dhe nuk luajtëm keq. Tani kemi Kupën e Shqipërisë, një ndeshje delikate dhe shumë të rëndësishme për ne. Di të them se gjendja është e mirë dhe jemi gati për një përballje të luftuar, ku ne do të japim më të mirën. I tregon fusha të gjitha, pastaj do të flasim”, u shpreh fillimisht trajneri i Elbasanit.

PRITSHMËRITË – Gvozdenoviç e ka të qartë se çfarë kërkohet nga kjo ndeshje, ku sheh pak a shumë skuadra të njëjta në kualitet. Sipas tij, bëhet fjalë për një ndeshje të hapur në të gjitha dimensionet e saj, që duhet interpretuar me kujdes. “Të dyja skuadrat mund të them se mendojnë njësoj, në sensin që duan të kalojnë në gjysmëfinale të Kupës.

Ndeshja e parë u mbyll pa gola dhe ndoshta edhe e nesërmja (sotmja) nga të dyja skuadrat do të jetë shumë e kujdesshme, sepse kërkohet kalimi i turit. Është e gjitha e hapur, sepse mund të shënosh dhe bën një hap para, por nuk është garanci për të kaluar më tej. Mendoj se do të vendosin detajet gjatë lojës dhe ai ekip që do të jetë më pak i nervozuar, në fund do të kalojë turin”, u shpreh më tej numri 1 i stolit verdheblu.

PENALLTITË – Nga katër takimet e këtij sezoni mes Vllaznisë dhe Elbasanit, tri prej tyre janë mbyllur në barazim dhe një e kanë fituar shkodranët. Ky fakt tregon qartë për një duel të balancuar dhe një tjetër barazim në sfidën e sotme është më se i mundshëm. Nëse do të ndodhë kështu, kualifikimi do të shkojë në shtesa dhe ndoshta edhe te penalltitë.

Në Elbasan duket se i kanë bërë llogaritë edhe për këtë pjesë. “Ndoshta mund të kalojmë edhe në shtesa, siç ndodhi kundër Teutës. Çdo detaj dhe çdo lojtar është i rëndësishëm në këtë ndeshje. Jemi të përgatitur edhe për penalltitë, sepse nga 90 minuta ndeshja mund të shkojë në 120. Me pak fjalë, jemi gati për çdo gjë që mund të ndodhë në këtë takim”, e mbylli prononcimin e tij për gazetën trajneri i Elbasanit. Verdheblutë do t’i luajnë të gjitha shanset në Shkodër.