Ivan Gvozdenoviç u shfaq tepër i lumtur, për pozicionimin e Skënderbeut në vendin e tretë, pas triumfit 3-2 ndaj Vllaznisë në “finalen e vogël”. Në prononcimin e dhënë për mikrofonin e “MCN”, tekniku serb u shpreh:

“Ishte kampionat shumë interesant dhe i bukur, Skënderbeu kapi çfarë meritonte. Bravo çunave, tifozë, stafi, presidenti. Ishte një vit shumë pozitiv. Jemi shumë të kënaqur.

Ishte shumë e vështirë, kisha një skuadër shumë të mirë me cilësi, por ishin lojtarë të rinj, nuk kishim eksperiencë, dhe kisha frikë për vendin e katërt. Kur e pashë që skuadra po forcohej, besimi u rrit për Final 4. Lojtarët meritojnë të gjitha bravot.

Pësuam 3-4 humbje radhazi, por kemi ambient shumë të qetë, president shumë të zgjuar, kjo më ndihmoi mua si trajner, për ta kaluar momentin e vështirë. Ky ishte çelësi i suksesit.

Nuk mund të flas për veten, e thashë edhe për “Panorama Sport”, nuk mund të vendos unë notat, i vendosin tifozët dhe specialistët.

Egnatia dhe Partizani janë skuadra shumë të forta. Do të jetë finale e bukur, do të ketë fitues brenda 90 minutave. Do të jetë një finale e bukur me shumë gola”, u shpreh Gvozdenoviç.