Elbasani luan sot aktin e parë kundër Vllaznisë në Kupë në “Elbasan Arena”, në një kompeticion ku shpresojnë t’i shkojnë deri në fund. Siç dihet, Elbasani po kalon një minikrizë, teksa fitoren e fundit e ka në Kupë, ku kaloi Teutën një raund më parë. Në fjalën e tij për mediat përpara sfidës me shkodranët, tekniku Ivan Gvozdenoviç e sheh si një gjysmëfinale, sepse finalja do të luhet në kthim në Shkodër. Serbi është i vetëdijshëm që i pret një përballje e vështirë, por ka besim te skuadra që drejton. Gvozdenoviç i gëzohet edhe faktit që të gjithë afrimet e bëra kanë qenë në formë fizike dhe të gatshëm që nga fillimi për skuadrën.
Fitorja e fundit ka ardhur pikërisht në Kupë, prisni një tjetër fitore në këtë kompeticion?
Ne jemi të gjithë optimistë dhe gati për Vllazninë. Kemi edhe stërvitjen e fundit. Mund të them se situata është e mirë, përveç Lleshit dhe Hakajt, që janë të dëmtuar. Për fat të mirë, Gjoni është gati. Kupa është një kompeticion shumë i rëndësishëm për ne. E kemi objektiv dhe jemi në çerekfinale. Janë dy ndeshje përpara tani dhe jemi gati. Kemi respekt për Vllazninë, janë një skuadër e mirë, por më mirë të flasim pas ndeshjes, fusha do t’i tregojë të gjitha.
Me largimin nga “Final 4” në kampionat, a është te Kupa vëmendja kryesore e Elbasanit?
Në kampionat është ende faza e tretë pa u mbyllur dhe faza e katërt për t’u luajtur. Matematikisht është e hapur dhe jemi të përqendruar për çdo javë dhe për çdo ndeshje. Tani mund të flasim vetëm për Kupën, përqendrimi dhe motivi është maksimal. Dua të falënderoj edhe tifozët, “Tigrat”, për ndeshjen e fundit, ku krijuan një atmosferë të bukur. Me tifozët jemi më të fortë. Kupa është një mundësi dhe një shans ndoshta për të kapur Europën nga rruga më e shkurtër. Nëse kalojmë Vllazninë, kemi dy ndeshje të tjera dhe më pas finalen. Megjithatë, sërish nuk do të flasim shumë, por t’i lëmë fjalët pas ndeshjes.
I druheni sërish një mungese përqendrimi në start, duke qenë se po pësoni shpesh?
Keni të drejtë, kështu ka ndodhur në disa ndeshje. Kemi pasur problem në fillim, kam folur me djemtë, kemi bërë analiza dhe tani do të shohim si do të reagojmë dhe t’i rregullojmë këto gjëra. Shoh edhe gjëra pozitive, sepse djemtë kanë reaguar shumë mirë, si ndaj Teutës në pjesën e dytë. Do të punojmë shumë dhe bashkë me djemtë jam optimist se së bashku mund t’i rregullojmë të gjitha.
Zhoel dhe Lukili, a janë të gatshëm të luajnë që nga minuta e parë?
Të gjithë janë gati, përveç dy dëmtimeve. Plus për ne është fakti se të katërt lojtarë që kanë ardhur, janë në formë të mirë fizike. Varet tani se çfarë do të vendosim, pasi do të kryejmë edhe stërvitjen e fundit.
Sa për qind shanse i jepni Elbasanit për të kaluar më tej?
Është shumë e vështirë ta them. Duhet të presim të luhet ndeshja e parë dhe të flasim. Është një ndeshje e hapur me kundërshtar të fortë, ndaj është shumë e vështirë.
Mendoni që mund të mbyllet kualifikimi në Elbasan apo do të duhen të dyja ndeshjet?
Jam i sigurt që nesër (sot) është vetëm “gjysmëfinale”, “finalja” është në Shkodër. Kemi dy ndeshje, ndoshta 200 minuta. Por do të presim dhe të flasim, sepse ndeshja e dytë në Shkodër ka kohë. Për mua është e gjitha e hapur deri në fund.