Skënderbeu është gati për ndeshjen e së hënes në kampionat përballë Tiranës. Pas një jave pune intensive korçarët janë gati për të mbyllur përgatitjet për takimin kundër bardhebluve. Kur mbetej edhe një seancë e fundit stërvitore, trajneri Ivan Gvozdenoviç duket se i ka të qarta idetë për interpretimin e ndeshjes së radhës. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, kryepankina korçare kërkon reagimin pas ndeshjes me Dinamon.

“Padyshim, jemi Skënderbeu dhe në çdo ndeshje duhet të mbajmë performancën në nivelin që na shkon përshtat. Do të mundohemi të jemi një ekip me balancë në dy fazat e lojës dhe të rikthehemi atyre paraqitjeve që na kanë lënë të kënaqur jo vetëm ne, por edhe publikun. Do të luajmë në shtëpinë tonë dhe normalisht që jemi të detyruar që të bëjmë mirë për të kënaqur edhe tifozët, të cilët jam i bindur që do të na mbështesin, duke krijuar një super atmosferë në këtë ndeshje.

Skënderbeu është Skënderbeu dhe në çdo ndeshje shkon për të marrë maksimumin e mundshëm. Pradaj edhe ky takim nuk bën përjashtim. Do të shkojmë për të dhënë më të mirën tonë në këtë takim dhe të marrim atë që meritojmë në bazë të paraqitjes. Jemi në gjendje te mirë dhe po punojmë për të treguar vlerat tona.

Për fat të mirë jemi të plotë dhe gëzojmë një formë të mirë për momentin. Djemtë i kam parë të motivuar në këto ditë përgatitjesh dhe mendoj që do të bëjmë më të mirën tonë. Është një ndeshje derbi dhe si e tillë nuk është e vështirë të motivohesh. Prandaj presim me besim një rezultat pozitiv”- është shprehur Gvozdenoviç.