Ivan Gvozdenoviç rikthehet në Korçë, por tani si kundërshtar, me shpresën që të marrë fitoren e parë me skuadrën e tij të re, Elbasanin. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” një ditë para kësaj sfide, trajneri serb nuk i fsheh emocionet, por si profesionist mendon vetëm për të bërë gjithçka mirë me verdheblutë.
Fakti që e njeh mirë skuadrën korçare mund të jetë një plus për të, por është fusha ajo që do të vendosë. Trajneri Gvozdenoviç kërkon të mos vërë në presion lojtarët, duke u kërkuar me çdo kusht fitoren, por është i sigurt fakti që elbasanasit do të hyjnë në fushë për të marrë maksimumin. Edhe pse me pak kohë në dispozicion, tekniku i Elbasanit është i kënaqur për faktin që idetë e tij po përqafohen shpejt nga lojtarët.
Gvozdenoviç, riktheheni në Korçë si kundërshtar, si e prisni dhe çfarë emocionesh ndjeni?
Si gjithnjë, ne luajmë gjithnjë duke respektuar kundërshtarin, siç bëmë ndaj Vllaznisë dhe Partizanit. E kemi vlerësuar maksimalisht ndeshjen në Korçë dhe kemi besim se do të bëjmë një punë të mirë. Sa u përket emocioneve, është diçka normale, por jam profesionist në punën time dhe do të shohim interesin e Elbasanit. Kjo është për mua e para. Ajo me Skënderbeun kaloi, ishte diçka e bukur, e suksesshme. Tani dua maksimumin me Elbasanin, e kemi kërkuar edhe në dy ndeshjet e fundit, do ta bëjmë edhe kundër Skënderbeut. Megjithatë, ai që është më i zoti në fushë, në fund do të fitojë.
Si është gjendja e skuadrës me dëmtimet?
Siç dihet, Telushi me Hasanin janë jashtë, pjesa tjetër është në rregull. Do të bëjmë edhe seancën e fundit stërvitore dhe do të shohim sërish me stafin si jemi. Ze Gomesh është paksa më mirë, por ende jo në 100%- shin e tij. Të shohim.
A e ka presionin e pikëve Elbasani për këtë ndeshje, pasi vetëm fitorja i bën punë?
Nuk mund t’i vëmë në presion lojtarët, të themi se duhet të fitojmë me çdo kusht, sepse një ndeshje i ka brenda të tria rezultatet. Ajo që mund të them është se ne do të luajmë për maksimumin, pastaj për rezultatin flasim pas ndeshjes.
E njihni mirë Skënderbeun, sa mund t’ju ndihmojë ky fakt për të fituar?
Ndoshta është një avantazh për ne, ngaqë i njoh nga ana e karakterit, apo edhe cilësisë, lojtarët e ekipit kundërshtar. Megjithatë, lojtarët luajnë në fushë dhe ajo do t’i tregojë të gjitha. Ndoshta mund ta cilësojmë si një plus të vogël për ne.
A mendon se në kaq pak kohë ka nisur skuadra të marrë filozofinë e lojës që ju kërkoni?
Mendoj se skuadra po reagon shumë mirë në stërvitje dhe në dy ndeshjet që kemi bërë. Më i kënaqur jam me Partizanin, sepse luajtëm pjesën e parë shumë mirë me një formacion tjetër. Djemtë reaguam mirë dhe kjo nisi nga stërvitja e mirë gjithë javës, ata ishin gati për ndeshjen. Deri tani jam i kënaqur, të presim si do të shkojmë dhe të flasim në fushë më mirë.