Elbasani luan sot një pjesëz të rëndë sishme të luftës për “Final 4” dhe për të mbajtur gjallë shpresat, duhet patjetër fitorja në përballjen ndaj Tiranës në “Elbasan Arena”.

Verdheblutë vijnë pas fitores në Laç pak ditë më parë, ndaj duan të ruajnë vazhdimësinë. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport” para ndeshjes, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ndalet fillimisht te gjendja e lojtarëve, ku mungesa e vetme pritet të jetë Emiljano Musta. “Situata është e mirë, përveç Mustës, që është jashtë për arsye dëmtimi. Do të kryejmë edhe stërvitjen e fundit dhe më pas do të shohim se si do luajmë, pasi normalisht do ta diskutojmë edhe me stafin, edhe sa i përket problemit me Abalorën dhe Tsagen, që i janë bashkuar normalisht stërvitjes pas asaj që ndodhi me Laçin, ku u lanë jashtë për gabimin që bënë”, u shpreh fillimisht trajneri i Elbasanit.

BARAZIMET – Tri ndeshjet e kaluara, skuadrat janë ndalur në barazime identike 1 me 1, por kësaj here në Elbasan shpresojnë që të dalin me tri pikë. “Personalisht, vetëm një herë kam dalë barazim kundër Tiranës kur luajtëm në Durrës dhe janë tri në total. Se çfarë mund të bëjmë më shumë, kjo mbetet për t’u diskutuar pas ndeshjes, sepse është fusha ajo që i tregon të gjitha. Sigurisht idenë sesi do të luajmë, e kam në kokë dhe ia kam transmetuar djemve, por nuk mund ta zbuloj para ndeshjes. Nuk më pëlqen të flas shumë para ndeshjes, por di të them që jemi gati dhe të përgatitur mirë. Por është fusha ajo që i tregon të gjitha”, vijoi më tej Gvozdenoviç.

ECURIA – Elbasani vjen në këtë ndeshje pas shtatë takimesh që nuk njeh humbje, ku për herë të fundit ka ndodhur ndaj Egnatias. Gjithsesi, Gvozdenoviç kërkon të mbajë skuadrën me “këmbë në tokë”, duke menduar vetëm për javët në vazhdim. “Shtatë ndeshje pa humbje janë statistika të mira për ne. Megjithatë, mendojmë vetëm për ecurinë dhe si do vazhdojmë për të marrë rezultatin. Janë edhe pesë finale dhe mendojmë vetëm për pikët. Të gjithë kemi besim të vazhdojmë me këtë ecuri dhe të shpresojmë. Me përqendrim, qetësi dhe besim të madh, vetëm kështu mund të ecim përpara”, pohoi trajneri i Elbasanit.

TIFOZËT – Në fund, Gvozdenoviç beson se edhe në këtë ndeshje ndihma e tifozëve në stadium do jetë e madhe, me ekipin që do të përpiqet t’ua shpërblejë në fushë. “Tifozët kanë qenë një ndihmë e madhe për skuadrën gjithmonë dhe i respektojmë. Edhe nesër (sot) do të na ndihmojnë dhe ne do të luftojmë shumë fort në fushë, si gjithmonë, por me ‘këmbë në tokë’ dhe me qetësi”, mbylli prononcimin e tij për gazetën, trajneri i skuadrës së Elbasanit.