Mançester Siti ka kompletuar transferimin e ish-kapitenit Ilkai Gyndoan nga Barcelona, në një marrëveshje fillestare njëvjeçare me opsionin për t’u rinovuar edhe 12 muaj të tjerë.
Mesfushori gjerman, i cili ishte nënshkrimi i parë i Pep Guardiolës në klub në vitin 2016, kaloi shtatë vjet në “Etihad” përpara se t’i bashkohej Barcelonës me një transferim me parametër zero në 2023. 33-vjeçari fitoi 14 trofe në total në periudhën e tij të parë në Mançester, duke shënuar 60 gola në 304 paraqitje.
“Shtatë vitet e mia te Mançester Siti ishin një periudhë kënaqësie e pastër për mua, si brenda dhe jashtë fushës”, tha Gyndoan gjatë prezantimit.
“Të gjithë e dinë respektin që kam për Pepin. Ai është trajneri më i mirë në botë dhe puna me të çdo ditë të bën një lojtar më të mirë. Sinqerisht, mezi pres të vesh sërish fanellën e Sitit”.
Guardiola e bëri mesfushorin kapiten në vitin që ata fituan tripletën historike. Pavarësisht se bëri një sezon mbresëlënës debutues në Spanjë, Barcelona vendosi të ndahej me Gyndoanin, pasi u përpoq të regjistronte transferimin e ri Dani Olmo për shkak të problemeve financiare të klubit. Gyndoan ishte një nga lojtarët më të paguar të klubit dhe largimi i tij me parametër zero do ta ndihmojë Barcelonën të respektojë kufizimet e shpenzimeve në La Liga.
“Po largohem në një situatë të vështirë, por nëse largimi im mund ta ndihmojë klubin financiarisht, më bën pak më pak të trishtuar”, shkroi Gyndogan në “Instagram” pas njoftimit. Ai shtoi se ai kishte pritur me padurim të ndihmonte bashkëlojtarët për sezonin e ri, por ai ishte mirënjohës që kishte kaluar 12 muaj në Barcelonë.