Erling Haaland shprehu pakënaqësinë mbi vendimin për ta anuluar golin e tij të dytë kundër Tottenham Hotspur, duke e quajtur atë “plotësisht të gabuar”. Pas shënimit në minutën e 12-të për t’i dhënë avantazhin Manchester City, sulmuesi nordik mendoi se kishte siguruar fitoren e tri pikëve në fund të ndeshjes, kur shënoi një gol tjetër në minutat e fundit të lojës.

Megjithatë, gjyqtari Jarred Gillett vendosi t’ia anulonte golin sulmuesit norvegjez, që u rikthye pas mungesës me dy ndeshje për shkak të lëndimit, për prekje me dorë, ndërsa Haaland luftonte me mbrojtësit Archie Gray dhe Kevin Danso për të gjetur hapësirë në zonë.

Vendimi ishte veçanërisht i diskutueshëm, pasi erdhi në një moment kyç të ndeshjes, kur Tottenham ende kërkonte barazimin. Haaland ndjeu se anulimi i golit për prekje të topit me dorë ishte i padrejtë, sidomos duke marrë parasysh se mund të kishte siguruar fitoren e Manchester City.

Pas ndeshjes së fituar, Haaland u shpreh për mediat: “Sigurisht, nuk është kurrë e këndshme të jesh i dëmtuar dhe të mos mund të luash, por duhet të shikosh përpara dhe të qëndrosh pozitiv. Mund të bëjmë diçka vetëm për të tashmen dhe të ardhmen, sonte ishte e rëndësishme vetëm fitorja.

Mundohem të jem në zonë dhe nëse shokët e skuadrës duan të më pasojnë topin, përpiqem ta dërgoj në rrjetë. Arbitri (Jarred Gillett) mori vendimin në fushë, duke e cilësuar si faull. Nuk mendoj se ishte ashtu, ishte një gabim i madh, por jemi njerëz, gabojmë. Ishte një gol i bukur dhe nuk besoj se kishte prekje me dorë, por çfarë mund të bëjmë… Fatmirësisht kemi fituar, jam i lumtur.

Mund ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë, por nuk ishte e lehtë. Ata morën vrull dhe energji, kështu që në fund ishte një ndeshje e vështirë. Gjithçka ka të bëjë me fitoren, të jesh i uritur dhe të marrësh tri pikët sa herë që ke mundësi. Ederson është i pabesueshëm, ajo pritje që bëri në fund ishte shumë e rëndësishme. Mendoj se portierët tanë kënaqen duke luajtur këtu”.