Një nga operacionet më të bujshme të merkatos së verës së kaluar ka qenë transferimi i Erling Haaland nga Borussia Dortmund te Manchester City për rreth 60 milionë euro.
Një blerje e goditur nga kampionët në fuqi të Anglisë, të cilët i kanë parë menjëherë frytet e këtij operacion, me sulmuesin norvegjez që po dominon në atë që konsiderohet kampionati më i vështirë në botë.
22-vjeçari, në fakt, ka një ecuri të frikshme në Premier League me 27 gola të shënuar në 25 ndeshjet e luajtura deri tani, të shoqëruar edhe me pesë asiste.
Në total, në 34 ndeshjet e luajtura në të gjitha kompeticionet në këtë sezon me Manchester City-n, ish-ylli i Dortmund-it ka realizuar plot 33 gola dhe ka dhënë pesë asiste.
Megjithatë, historia mund të kishte qenë shumë më ndryshe nëse Bayern Munich nuk do të kishte vendosur të tërhiqej nga gara për të siguruar shërbimet e Haaland.
Oliver Kah, drejtuesi i klubit bavarez, në një intervistë të gjatë të dhënë për L’Equipe i është përgjigjur një pyetje në lidhje me mundësinë e klubit bavarez për ta blerë norvegjezin nga Dortmund-i.
“Transferimi i tij do të kishte qenë diçka e jashtëzakonshme, por ne nuk bëjmë asnjë lëvizje që mund të cenojë stabilitetin financiar të klubit. Bayern nuk ka borxhe”, ka thënë Kahn.